Kremlini nxehet keq: Komentet e Biden, të paprecedenta, do të reagojmë

18/03/2021 14:37

Kremlini, reagoi ashpër ndaj deklaratës së presidentit amerikan, Joe Biden, i cili tha se beson se presidenti rus, Vladimir Putin, është “vrasës”.

Këto fjalë janë “shumë të rënda” dhe të pa precedenta, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Në komentet e para pas deklaratës së Bidenit të mërkurën, Peskov deklaroi se është e qartë që Biden nuk dëshiron të ndërtojë marrëdhënie konstruktive me Rusinë, dhe Moskës, tha ai, do t’i duhet ta marrë parasysh këtë qëndrim.

Biden, në një intervistë për kanalin “ABC News”, u pyet nëse beson se presidenti rus është vrasës dhe ai tha “po”. Ai po ashtu e përshkroi Putinin, si njeri pa shpirt dhe tha se Rusia “do të paguajë çmimin” për ndërhyrjen e dyshuar në zgjedhjet presidenciale në SHBA, në nëntor të vitit të kaluar.

Pak orë pas komenteve të presidentit amerikan, Rusia i kërkoi ambasadorit të saj në SHBA të kthehet në Moskë për konsultime. Komentet e Bidenit erdhën pasi një raport i zbulimit amerikan përforconte akuzat e mëparshme se Putini fshihej pas ndërhyrjes së Moskës në zgjedhjet amerikane, akuzë të cilën Rusia e quajti të pabazë.

Në të njëjtën kohë president i SHBA-së theksoi se “ka hapësira, ku është në interesin tonë të përbashkët që të bashkëpunohet” siç është rinovimi i marrëveshjes bërthamore “START”, duke shtuar se dy udhëheqësit kanë një histori të gjatë njohjeje.

Top Channel