Challandes publikon listën e të grumbulluarve, një portier është risia e vetme

18/03/2021 00:28

Bernard Challandes të mërkurën ka publikuar listën e futbollistëve të ftuar për tri ndeshjet që Kosova do t’i luajë gjatë muajit mars. Për miqësoren kundër Lituanisë dhe ndeshjet e fazës kualifikuese për Katar 2022 ndaj Suedisë dhe Spanjës, përzgjedhësi ka ftuar gjithsej 27 futbollistë, prej tyre katër portierë.

Për herë të parë në skuadrën përfaqësuese është ftuar portieri i Olimpik Donetsk, Betim Halimi, megjithatë gardiani 25-vjeçar rezulton si e vetmja prurje e re në skuadër.

Pas rezultateve dëshpëruese në fushatën e fundit të Nations League, është pritur që Kosova të freskojë radhët me futbollistë të rinj, por nga lista e publikuar shohim që Challandes preferon të vazhdojë me grupin e tij të zakonshëm, madje duke mos preferuar që në grumbullim të mos ketë asnjë futbollist nga kampionati i Kosovës.

Vihet re ftesa për mbrojtësin e Ujpest, Lirim Kastrati, i cili së fundi ka luajtur me grupmoshën U21, por ka edhe 3 paraqitje me skuadrën A. Gëzon rikthimi i Milot Rashicës, i cili ka munguar në 7 ndeshjet e fundit të Kosovës. Ndër të tjera është bërë e ditur që i ftuar për këtë grumbullim ka qenë edhe sulmuesi i skuadrës Hammarby IF, Astrit Selmani, por për shkak se ka rezultuar pozitiv në Covid-19 nuk ka pasur mundësi të udhëtojë.

Për të njëjtën arsye thuhet se mungon edhe Herolind Shala. Si zakonisht, Dardanët do të akomodohen në hotel “Emerald”, ndërsa stërvitjen e parë do ta zhvillojnë të hënën më 22 mars në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në orën 19:00.

Top Channel