Vrasjet e grave të masazhit në SHBA/ Policia identifikon viktimat pas arrestit (fotot)

17/03/2021 20:12

Policia e shtetit amerikan të Georgia tha së fundmi se ka identifikuar katër nga tetë viktimat e sulmit te vrasjeve masive në tre qendra masazhi në zonën e Atlanta.

Ata thanë se është ende herët për të ditur nëse sulmi kishte motivim racor, teksa shumica e grave të ekzekutuara ishin me origjinë aziatike.

Kater nga viktimat u identifikuan si Ashley Yaun, 33 vjeçe; Paul Andre Michels, 54 vjeçe; Xiaojie Yan, 49 vjeçe; dhe Daoyou Feng, 44 vjeçe. Ndërsa e plagosur ishte Elcias R Hernandez-Ortiz.

Hetuesit thanë se autori i dyshuar, 21 vjeçari Robert Aaron Long, tashmë i arrestuar, ka mohuar se sulmi kishte motivim racor.

“Ai thotë se kishte problemin e varësisë ndaj seksit, dhe i konsideronte këto vende si një tundim për të, cka ai donte të eliminonte”, tha kapiteni i policisë Jay Baker, duke shtuar se kur u arrestua, Long kishte në zotërim një pistoletë 9mm dhe nuk i rezistoi arrestit.

Sallonet e masazhit njihen që japin edhe shërbime prostitucioni por autoritetet thonë se ende nuk kanë prova për këtë, në vendndodhjet e goditura.

“Bizneset ishin të ligjshme dhe nuk kishin pasur më parë probleme me ligjin”, tha kryebashkiakja e Atlanta, Keisha Lance, duke shtuar se qyteti nuk do të përfshihet në “turpërim apo linçim të viktimave”.

Vrasësi i dyshuar u identifikua nga prindërit e tij, të cilët raportoheshin të shokuar nga aktet.

Mediat thanë se në marrjen në pyetje vrasësi kishte thënë se “adhuron Zotin dhe armët”.

Ai kishte nisur sulmet dje rreth orës lokale 17:00 në sallën e masazhit ‘Young’s Asian Massage’ në Acworth, ku kishte vrarë dy njerëz dhe kishte plagosur tre. Dy të tjerët vdiqën më vonë në spital. Baker tha se viktimat e para ishin dy gra aziatike, një grua e bardhë dhe një burrë i bardhë. Një burrë me origjinë hispanike ishte plagosur.

Një orë më vonë policia u njoftua për një “grabitje në zhvillim” në Gold Spa në verilindje të Atlanta.

“Kur erdhën oficerët, ata gjetën tre femra të vdekura nga plagë arme zjarri”, tha policia.

Teksa ishin në vend, policët u thirrën në sallën e masazhit në anën tjetër të rrugës Aromatherapy Spa, ku më vonë gjetën një grua të vdekur.

Lexo edhe: https://top-channel.tv/2021/03/17/kristiani-i-fajesonte-per-varesine-ndaj-seksit-sulmuesi-ne-georgia-masakron-grate-ne-3-qendra-masazhi-dinamika-fotot/

FOTO GALERI
1/10
Dy nga qendrat e masazheve te sulmuara ishin perballe njera-tjetres

Top Channel