Video/ Ushtari rus mbetet i varur në helikopter pas bllokimit të parashutës në 2000m lartësi

17/03/2021 19:10

Në një video të publikuar së fundmi është kapur momenti kur një ushtari rus i bllokohet parashuta e tij në bishtin e helikopterit nga i cili po hidhej, duke e lënë atë të lëkundej mijëra metra lart në ajër deri në uljen e mjetit gjigand në sipërfaqen e tokës.

Parashutisti ishte hedhur nga helikopteri Mil Mi-8 Hip nga më shumë se 2000 metra lartësi në bazën ajrore pranë qytetit Chita në Rusi.

Por parashuta e tij ngeci në pjesët e poshtme të mjetit, dhe ushtari mbeti i varur në ajër, teksa mjeti ajror nisi uljen e ngadaltë.

Helikopteri arriti të ulte ushtarakun në tokë pa e plagosur, teksa personeli i erdhi në ndihmë në pistën ajrore.

Rezidenti vendas Maxim Stefanovich, i cili dëshmoi incidentin, tha se kishte nisur të filmonte mjetin ajror por kur afroi pamjen me celularin e tij, pa parashutistin e varur poshtë helikopterit. Ai shtoi se kishte telefonuar policinë duke u thënë të kontaktonin ushtrinë.

“Besoj se burri i varur do të ketë vuajtur nga gangrena e të ftohtit. Është minus 20 gradë këtu jashtë, dhe poshtë asaj helikës duhet të jetë shumë më keq”, tha ai.

Nuk është e qartë sesi ndodh incidenti por mediat lokale thanë se ushtari nuk ishte plagosur gjatë aventurës së tij.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel