Turqia raporton 16.749 raste të reja me COVID-19, hyrja për udhëtarët tashmë bëhet me formular

17/03/2021 02:44

Turqia gjatë 24 orëve të fundit ka raportuar 16.749 raste të tjera të koronavirusit të ri (COVID-19), përfshirë 874 pacientë simptomatikë, me çka numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me këtë virus në vend ka tejkaluar shifrën 2.91 milionë.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, numri i vdekjeve po ashtu është rritur në 29.623, me 71 viktima të regjistruara gjatë ditës së fundit. Gjithsej 17.893 pacientë të tjerë fituan betejën kundër koronavirusit, duke e çuar në mbi 2.73 milionë numrin e përgjithshëm të pacientëve të shëruar nga virusi.

Që nga shpërthimi i pandemisë, autoritetet shëndetësore turke kanë kryer mbi 35.43 milionë teste të dyshuara për COVID-19, përfshirë 158.386 teste të kryera brenda ditës së fundit. Shifrat e fundit tregojnë se numri i pacientëve të prekur nga COVID-19 që janë në gjendje kritike aktualisht është 1.474.

Sipas shifrave zyrtare, deri më tani në mbarë vendin janë administruar mbi 11.95 milionë doza të vaksinës, prej të cilave rreth 7.96 milionë doza të para dhe rreth 3.98 milionë doza të dyta. Në muajin janar, Turqia nisi një fushatë masive të vaksinimit kundër virusit COVID-19, ndërsa nga 1 marsi filloi me normalizimin gradual nga kufizimet e koronavirusit.

Po ashtu, që nga e hëna, të gjithë udhëtarët që hyjnë në Turqi duhet të plotësojnë një formular në mënyrë elektronike brenda 72 orëve të fundit para udhëtimit./AA

Top Channel