Kandidatja, që kryeson listën e Partisë Socialiste në Tiranë, nxiti debate, pas deklaratës se diktatori Enver Hoxha, i ka dhënë më shumë të mira se të këqija kombit shqiptar.

Këtë përgjigje, Luljeta Bozo e dha në një intervistë, të zhvilluar disa ditë më parë. Të ftuar në emisionin e gazetarit Denis Dyrnjaja, “Top Talk”, analisti Edmond Tupe dhe inxhinieri, Arben Meçe, komentojnë këtë deklaratë.

Sipas Edmond Tupes, Bozo vazhdon të jetë e indoktrinuar nga sistemi monist. “Në atë periudhë ka pasur dhe njerëz që nuk kanë qenë të indoktrinuar dhe e kanë paguar, kanë vuajtur shumë, ka qenë terror. Bozo është e indroktrinuar por kjo nuk do të thotë se ajo nuk mund të heqë dorë, të ç’indoktrinohet. Në atë intervistë, Bozo ka shprehur mendimin  e saj, sepse vazhdon të jetë e indoktrinuar”.

Ndërsa, inxhinieri, Meçe thotë se deklaratë është nxjerrë nga konteksti që është thënë nga Bozo. “Duhet parë me kujdes ajo deklaratë, sepse një deklaratë e shkëputur nga konteksti, gjithmonë manipulohet dhe interpretohet.

Në intervistë, ajo pranon se Enver Hoxha ka qenë diktator. Pyetja që i është bërë ka qenë shumë konkrete: Sa ka ndikuar diktatura e Enver Hoxhës për çështjen kombëtare, dhe përgjigja është ka më tepër çështje pozitive se negative. Kjo është marrë në kontekst dhe është thënë që diktatura e Enver Hoxhës është më tepër pozitive se negative. Diktaturat krijojnë ideologji dhe çështjen kombëtare e kanë një nga parimet e tyre dhe luftojnë për çështjen kombëtare”.

I pyetur nga gazetari, se çfarë lidhje ka inxhinierja me një pyetje për kombin shqiptar, Meçe përgjigjet: “E drejtë, pse i është bërë kjo pyetje?! Ajo në fund të fundit nuk kishte punë por i është bërë pyetja dhe ka kthyer përgjigje”.

Meçe, ndër të tjera, vlerëson figurën e Bozos. “Bozon e njoh që në vitet ’80, kemi qenë bashkë kolegë. Nuk kam parë asnjë aktivizim politike te ajo si profil, e kam parë si një tekniciene, e përkushtuar për shkencën. Për herë të parë, e shoh të angazhuar në politikë. Unë vetë, jam angazhuar në vitet ’90 në politikë dhe kam pasur komunikim të vazhdueshëm, me konsideratë absolute ndaj njëri-tjetrit”.

Top Channel