Rusia e bën sërish! Zbulimi amerikan: Ka ndërhyrë në zgjedhjet e nëntorit

17/03/2021 11:37

Sipas një raporti të zbulimit amerikan, presidenti rus Vladimir Putin ka të ngjarë të ketë drejtuar personalisht përpjekjet për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, për t’i orientuar ato në favor të kandidatit Donald Trump, një hap që sipas burimeve mund të bëhet shkak për sanksione nga ana e SHBA.

Raporti prej 15 faqesh, i publikuar nga Zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar, u shton kredibilitet aludimeve të mëparshme se disa nga ndihmësit kryesorë të zotit Trump po bënin lojën e Moskës, duke amplifikuar pretendimet e ngritura kundër kandidatit të atëhershëm Joe Biden nga ana e disa figurave ukrainase të lidhura me Rusinë në prag të zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Ai u shton elemente të reja aludimeve se Putini ose e mbikëqyri personalisht, ose të paktën e miratoi ndërhyrjen në zgjedhje për të favorizuar kandidatin e atëhershëm Trump. Uashingtoni pritet të vendosë sanksione ndaj Moskës, madje që javën e ardhshme, thanë dy burime që folën në kushte anonimiteti. Gjetjet lidhur me rolin e Putinit ka të ngjarë të marrin një vëmendje të veçantë, duke pasur parasysh përfundimet e raportit se politikanë të mbështetur nga Rusia, si deputeti ukrainas Andriy Derkach, bindën disa figura politike amerikane të bëheshin pjesë e fushatës së tyre për të shpifur kundër Joe Biden dhe djalit të tij, Hunter.

Raporti përmend me emër deputetin Derkach, i cili në vitin 2019 takoi avokatin e Trump, Rudy Giuliani, duke thënë se lëvizjet e deputetit ndiqeshin me kujdes, në mos drejtoheshin nga vetë Putini. Edhe më parë, agjencitë amerikane të zbulimit dhe ish-prokurori i posaçëm Robert Mueller kishin arritur në përfundimin se Rusia ndërhyri në zgjedhjet e vitit 2016 për të shtuar shanset e Donald Trump, me një fushatë që synonte dëmtimin e kundërshtares së tij demokrate Hillary Clinton. Raporti i fundit ndërkaq nxjerr si të pavërtetë një version të mbështetur nga aleatët e Trump se Kina po ndërhynte në zgjedhje në emër të kandidatit Biden. Raporti arrin në përfundimin se Pekini “nuk bëri përpjekje për ndërhyrje”.

Top Channel