Mjekët në mbrojtje të AstraZeneca, theksojnë: Pilulat kontraceptive kanë rrezik më të lartë të mpiksjes së gjakut se vaksina

17/03/2021 16:36

Mjekët kanë mbrojtur vaksinën e koronavirusit Oxford-AstraZeneca pasi theksojnë se gratë përballen me një rrezik dukshëm më të lartë të zhvillimit të mpiksjes së gjakut nga marrja e pilulës kontraceptive sesa nga doza e kësaj vaksine.

Katërmbëdhjetë vende në Evropë – duke përfshirë Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Spanjën – pezulluan përdorimin e vaksinës së Oksfordit këtë javë për shkak të frikës së paprovuar se rrit rrezikun e trombozës ose embolisë pulmonare.

Shkencëtarët kanë frikë se lëvizjet e Evropës tani mund të ushqejnë ‘ndjenjën më ekstreme anti-vaksinë’, pavarësisht gjetjeve nga BE, Britania e Madhe, OBSH dhe AstraZeneca se nuk ka asnjë provë të një lidhjeje me mpiksjet sporadike të gjakut.

Dr Paul Ettlinger, GP në London General Practice, vuri në dukje se pilulat kontraceptive të marra nga miliona gra paraqesin një rrezik shumë më të madh të mpiksjes së gjakut ndërsa ai akuzoi qeveritë për ‘frikësim’ dhe i tha MailOnline se nuk kishte ‘prova’ që vaksina rrit rrezikun.

Ndërsa 37 persona nga 17 milion inokulime në BE dhe Mbretërinë e Bashkuar kanë raportuar mpiksjen e gjakut, ndërkohë gratë që marrin lloje të caktuara të pilulave kontraceptive përballen me shanse shumë më të këqija çdo vit.

Top Channel