Më ‘i butë’ se Trump/ Biden i thotë emigrantëve: Mos hajdeni në SHBA

17/03/2021 15:01

Presidenti amerikan, Joe Biden i kërkoi emigrantëve të mos vinin në Shtetet e Bashkuara ndërkohë që janë shtuar kritikat pas një rritjeje të numrit të njerëzve që mbërrijnë në kufirin jugor me Meksikën, përfshirë mijëra fëmijë të pashoqëruar.

Biden: “Unë thjesht dhe qartë mund tu them atyre-mos hajdeni. Mos i lini qytetet dhe shtëpitë tuaja.”

Duke folur disa orë pasi shefi i sigurisë së brendshme mbrojti politikat e emigracionit të administratës Biden, presidenti po ashtu hodhi poshtë pretendimet se heqja dorë nga qëndrimi i ashpër i Donald Trump ndaj emigrantëve ka inkurajuar rritjen e të ardhurve në kufi, duke thënë se situata të ngjashme ka patur edhe në 2019 dhe 2020-ën.

Biden: “Dëgjova një ditë më parë të thonin se ata po vijnë sepse unë jam më i butë. Por nuk është kështu.”

Më 20 janar, në ditën e tij të parë në detyrë, Biden rrëzoi disa politika të emigracionit të Donald Trump si edhe ndaloi ndërtimin e murit në kufirin me Meksikën dhe propozoi një legjislacion që i hap rrugën e shtetësisë rreth 11 milionë njerëzve që jetojnë ilegalisht në SHBA. Kritikët republikanë thonë se politika e Bidenit ka shkaktuar një rritje të ndjeshme të numrit të emigrantëve që kërkojnë të hyjnë ilegalisht në vend.

Top Channel