Festa e Shën Patrikut online/ Nderohet shenjti padron i Irlandës

17/03/2021 15:48

Shumë vende të botës festojnë ditën e Shën Patrikut të mërkurën, me eventet online që zëvendësojnë paradat tradicionale.

Monumente të famshme në të gjithë globin ndërkohë janë ndriçuar me jeshile në nder të shenjtit padron të Irlandës. Tubimet e mëdha janë përjashtuar në shumë pjesë të botës për shkak të pandemisë. Paradat tradicionale në Belfast dhe Dublin, janë anuluar për të dytin vit radhazi. Sidoqoftë, evente që shënojnë ditën po mbahen në Irlandën e Veriut dhe republikën e Irlandës, dhe po transmetohen online.

Ato përfshijnë një disko online dhe evente me muzikë live në Belfast ndërsa më shumë se 100 evente të tjera online janë organizuar në Republikën e Irlandës dhe transmetuar më pas në vende të tjera të botës. Me qindra oficerë policie shtesë ndërkohë janë dislokuar në Irlandën e Veriut dhe në republikën e Irlandës, për të reaguar në rast të shkeljes së rregullave.

Që nga 2010 ndërkohë, monumentet në të gjithë botën janë ndriçuar me të gjelbër në nder të Shën Patrikut, dhe këtë vit një numër akoma më i madh vendesh po marrin pjesë. Rreth 69- sajte në 66 shtete do të marrin pjesë në nismën e agjencisë irlandeze të turizmit. Mes tyre, opera e Sidneit apo kulla e pjerrët e Pizës. E madje do të ketë edhe risi të tjera. Një sauna e braktisur buzë një liqeni në Finlandë apo një gjirafë me energji diellore në Mozambik do të ndriçohen me të gjelbër.

Top Channel