Telashe për AstraZeneca-n/ Pas Danimarkës e Norvegjisë, e pezullon edhe Irlanda

14/03/2021 16:16

Përdorimi i vaksinës së Oxfordit dhe AstraZeneca-s është pezulluar në Republikën e Irlandës.

Komiteti kombëtar i imunizimit ka rekomanduar lëvizjen pas raporteve për raste të mpiksjeve të gjakut tek të rritur në Norvegji.

Në një postim në Twitter, ministri irlandez për shëndetin, Stephen Donnelly, tha se ky ishte një hap parandalues. Organizata botërore e shëndetësisë tha se nuk ka një lidhje mes vaksinës dhe rrezikut të shtuar të zhvillimit të mpiksjeve të gjakut.

Javën e kaluar, Danimarka dhe Norvegjia pezulluan përdorimin e vaksinës. Të premten, OBSH tha se vendet nuk duhet të ndalin përdorimin e vaksinës për shkak të frikës se ajo shkakton mpiksje gjaku dhe nuk ka të dhëna se ka një lidhje mes tyre. Më shumë se 110 mijë doza të vaksinës së AstraZeneca-s janë administruar në Irlandë, ose 20 për qind e të gjitha dozave të dhëna deri më sot.

Vetë Astrazeneca tha se një analizë e të dhënave të sigurisë që mbulon më shumë se 17 milionë doza të administruara nuk ka treguar prova për një rrezik të shtuar dhe se asnjë trend apo problem nuk është konstatuar gjatë testimeve klinike. Një javë më parë, agjencia rregullatore e ilaçeve dhe produkteve mjekësore në Britaninë e Madhe, tha se njerëzit duhet të vazhdonin të vaksinoheshin. Mpiksjet e gjakut mund të ndodhin në mënyrë natyrale dhe nuk janë të pazakonta. Më shumë se 11 milionë doza të vaksinës së AstraZeneca-s janë administruar tani në të gjithë Britaninë, thanë drejtuesit e saj.

Top Channel