Një dalje në hapësirë… Astronautët evitojnë rrjedhjen e amoniakut toksik

14/03/2021 16:14

Astronautët në stacionin hapësinor ndërkombëtar, kanë dalë në hapësirë të shtunën, për të marrë masat e nevojshme në mënyrë që të evitonin marrjen e amoniakut toksik në kostumet e tyre.

Dalja jashtë stacionit kishte si qëllim kontrollin e sistemit hidraulik të tij por astronautët u desh të tregoheshin të kujdesshëm që të evitonin ftohësin që ishte ende i pranishëm në rrjet.

Victor Glover dhe Mike Hopkins sidoqoftë, nuk patën probleme në heqjen e tubacioneve dhe largimin e amoniakut prej tyre.
Por, kishte aq shumë amoniak në to sa që kontrolli i misionit ishte i shqetësuar se pjesëza të ngrira të bardha, mund të shfaqeshin në kostumet e tyre.

Hopkins u habit nga sasia e amoniakut e lëshuar në vakuumin e hapësirës. “Ishte më shumë nga sa unë e kisha menduar”, u tha ai kontrollorëve.
Dhe pse rrjedha e amoniakut ishte e drejtuar në kah të kundërt nga astronautët dhe stacioni hapësinor, Hopkins tha se disa kristale të akullta kishin prekur helmetën e tij. Sidoqoftë, kontrolli i misionit nisi inspektimet.

Nasa nuk donte që amoniaku të hynte brenda stacionit hapësinor dhe të kontaminonte atmosferën në kabinë. Astronautët kishin edhe detyra të tjera, përfshirë zëvendësimin e një antene, risistemimi i kabujve dhe forcimi i lidhjeve me një platformë eksperimentale evropiane.
Dalja në hapësirë ishte e gjahsta dhe e fundit për ekuipazhin prej shtatë astronautësh të stacionit hapësinor ndërkombëtar.

Top Channel