Mianmar/ 11 të vrarë nga forcat e sigurisë në protesta

14/03/2021 06:53

Forcat e sigurisë në Mianmar qëlluan me armë zjarri ndaj turmës së protestuesve që kishin dalë në rrugë të shtunën. Të paktën katër demonstrues vdiqën në Mandalay, qyteti i dytë më i madh i vendit, në Yangon dhe në qytetin qendror Pyay.

Tetë të vdekur në në Mandalay u konfirmuan nga shërbimi birmanez i Zërit të Amerikës, që iu referua një punonjësi të një ekipi mjekësor të urgjencës. Një person u vra në qytetin qendror Pyay, dhe dy të tjerë in kryeqytetin tregëtar tYangon, sipas njoftimeve të mediave lokale.

Mes protestave të vazhdueshme dhe dhunës në Mianmar, hetuesi i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut në vend ka bërë thirrje që bashkësia ndërkombëtare të ketë një qëndrim të bashkuar kundër juntës ushtarake që mori pushtetin në një grusht shteti të 1 shkurtit. “Është tepër trishtues të jesh dëshmitar i terrorit nga ata që kanë kapur në mënyrë të paligjshme pushtetin në Mianmar”, i tha të premten Këshillit të Drejtave të Njeriut në OKB, Thomas Andrews.

Ai shtoi se bashkësia ndërkombëtare “duhet ta zhveshë juntën nga ndenja e pandëshkueshmërisë”. Një zyrtar i Mianmarit i tha këshillit se autoritetet në vend po përdornin “përmbajtjen maksimale” ndaj protestuesve. Zoti Andrews e quajti atë pretendim “absurd”.

Që kur ushtria e Mianmarit mori pushtetin nga qeveria e zgjedhur, tha ai, forcat e sigurisë kanë vrarë të paktën 70 persona dhe arrestuar në mënyrë arbitrare më shumë se 2,000. Zoti Andrews gjithashtu tha se ka prova të filmuara të forcave të sigurisë duke rrahur në mënyrë të egër protestuesit, shkatërruar pronat, plaçkitur dyqanet dhe qëlluar pa dallim ndaj shtëpive të njerëzve dhe se junta ka shkatërruar sistematikisht mbrojtjet ligjore dhe shtypur lirinë e shprehjes dhe tubimit. Muajin e kaluar, SHBA njoftoi për sanksione ndaj regjimit ushtarak në Mianmar./VOA

Top Channel