Kthim në normalitet… SHBA, rriten udhëtimet ajrore komerciale

14/03/2021 17:14

Udhëtimet ajrore komerciale po rriten në shtetet e bashkuara edhe pse pandemia e koronavirusit vazhdon të rëndojë në jetën e përditshme në vend.

Janë regjistruar më shumë se 1.3 milionë pasagjerë në pikat e kontrolleve të sigurisë në aeroportet amerikane, thotë administrata e sigurisë së transportit. Ka kaluar një vit i plotë që kur numri i pasagjerëve nuk ka qenë kaq i lartë – thonë zyrtarët e administratës.

Nëse zgjidhni të fluturoni, mbani maskë”, shkruajnë ata duke nënvizuar se hera e fundit kur ishin regjistruar kaq shumë pasagjerë ishte 15 marsi i 2020.

Qendra amerikane për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve ka rekomanduar që amerikanët ti evitojnë udhëtimet gjatë pandemisë, duke nënvizuar se udhëtimi rrit shanset për përhapjen dhe prekjen nga koronavirusi. SHBA ka regjistruar më shumë se 29 milionë raste pozitive me koronavirus dhe mbi 530 mijë viktima.

Por pasi ka investuar shumë në zhvillimin e vaksinave, vendi ka nisur tashmë një fushatë të shpejtë imunizimi. Deri më tani, SHBA ka administruar më shumë se 100 milionë doza vaksine dhe ka imunizuar afro 20 për qind të popullatës.

Të enjten, presidenti Joe Biden shënoi edhe përvjetorin e parë të pandemisë dhe tha se shpresonte që të kishte vaksina të mjaftueshme për të gjithë amerikanët deri më 1 maj.

Top Channel