Të paktën 22 të vrarë në disa sulme në Afganistan

13/03/2021 22:56

Një makinë bombë, një shpërthim buzë rrugës dhe disa sulme kryengritëse shkaktuan vdekjen e të paktën 22 personave, mes tyre forca të sigurisë dhe civilë, thanë zyrtarët afganë të shtunën.

Dhuna e së shtunës shkaktoi rreth 70 të plagosur, shumica e të cilëve ishin civilë. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme Afgane, Tariq Arian tha të shtunën se shpërthimi i makinës bombë kishte në shënjestër një bazë policie në provincën e Heratit, e cila kufizohet me Iranin. Ai tha se shpërthimi dëmtoi të paktën 14 shtëpi në një zonë rezidenciale aty pranë.

Zyrtarët lokalë thanë se rreth 60 persona, përfshirë 20 gra dhe 12 fëmijë, ishin midis të plagosurve. Të paktën pesë nga të plagosurit ishin në gjendje kritike, thanë burimet spitalore në Herat. Askush nuk mori menjëherë përgjegjësinë për sulmin.

Një zëdhënës i talebanëve tha se nuk kishte asnjë lidhje me bombardimet. Por Presidenti Afgan Ashraf Ghani fajësoi talebanët, duke thënë se kryengritësit “vazhduan luftën e tyre të paligjshme dhe dhunën kundër popullit ” dhe “treguan edhe një herë se nuk kanë ndërmend” një zgjidhje paqësore të konfliktit.

Ndërkohë, një bombë në anë të rrugës shpërtheu të shtunën në mëngjes në Tarinkot, kryeqyteti i provincës jugore Uruzgan, duke vrarë tre civilë dhe duke plagosur katër të tjerë, thanë zyrtarët lokalë. Asnjë grup nuk mori përgjegjësinë për atë sulm.

Rebelët talebanë kryen gjithashtu sulme para agimit në provincat veriore Kunduz dhe Balkh, duke vrarë 11 ushtarë afganë dhe plagosur gjashtë të tjerë. Autorët e sulmit kapën gjithashtu pesë ushtarë afganë gjatë përleshjeve në Kunduz, i tha Zërit të Amerikës një zyrtar i sigurisë lokale me kusht anonimiteti.

Zëdhënësi i talebanëve konfirmoi se rebelët organizuan të dy sulmet. Dhuna është rritur në Afganistan muajt e fundit, duke përfshirë një valë vrasjesh që vunë në shënjestër aktivistë të shoqërisë civile, gazetarë dhe zyrtarë të qeverisë.

Shtetet e Bashkuara kanë rinovuar përpjekjet diplomatike për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje të negociuar gati dy dekada luftë dhe përfundimin e asaj, çfarë ka qenë ndërhyrja ushtarake më e gjatë jashtë vendit, në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Administrata e Presidentit Joe Biden së fundmi u paraqiti një projekt për një plan paqeje drejtuesve të qeverisë afgane dhe talebanëve, në një përpjekje për të ringjallur një proces paqësor të trazuar të filluar nga ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Plani i zotit Biden parashikon formimin e një qeverie të përkohshme “gjithëpërfshirëse” në Kabul për të mbikëqyrur bisedimet midis talebanëve dhe grupeve të tjera afgane. Ai sugjeron një rol mbikëqyrës nga Kombet e Bashkuara për të krijuar një konsensus rajonal mbi Afganistanin për t’i nxitur rivalët afganë të ndalojnë luftimet dhe të bien dakord mbi një marrëveshje për ndarjen e pushtetit.

Ndërkohë, Rusia po përgatitet të presë javën e ardhshme delegacione nga Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Pakistani, duke thënë se takimi po mbahet për të diskutuar “mënyrat për të promovuar” një zgjidhje paqësore të konfliktit afgan.

Përpjekjet diplomatike ndërkombëtare për të promovuar paqen duken se vijnë nga shqetësimet se palët ndërluftuese në Afganistan po përgatiten të intensifikojnë luftimet ndërsa afron pranvera. Kombet e Bashkuara vlerësojnë se lufta, tashmë në vitin e saj të 20-të, ka vrarë ose plagosur më shumë se 100,000 civilë afganë që nga viti 2009.

Zyrtarët rusë thonë se talebanët dhe përfaqësuesit e qeverisë afgane janë ftuar në takimin e 18 marsit në Moskë. Të shtunën, këshilltari i sigurimit kombëtar afgan Hamdullah Mohib u tha gazetarëve se Kabuli do të dërgojë delegacionin e saj në kryeqytetin rus. Talibanët, të cilët mbajnë kontakte të ngushta me Rusinë, nuk kanë njoftuar një vendim në lidhje me pjesëmarrjen në takimin e Moskës./VOA

Top Channel