Nga humbja e nënës te beteja me kancerin e bashkëshortit të saj dhe atentati ndaj babait, Ivanka Trump rrëfen momentet më të vështira të jetës
Dhuna në familje si fizike dhe psikologjike është një ndër fenomenet më shqetësues në shoqërinë shqiptare sidomos vitet e fundit.
Pavarësisht dhunës së ushtruar në mënyrë të vazhdueshme, gratë shqiptare kanë frikë t’i tregojnë të afërmve të tyre gjendjen në të cilën ndodhen. Paragjykimet e njerëzve dhe mentaliteti janë faktorë të cilët ndikojnë shumë që gratë e dhunuara të stepen dhe të mos kërkojnë ndihmë.
E tillë ishte dhe historia e Klodit që u trajtua mbrëmjen e sotme në programin “Dua të të bëj të lumtur”, historia e një gruaje të fortë që kishte vendosur të largohej nga dhuna. Klodi në studio rrëfeu se familja e saj e kishte martuar me mblesëri që në moshën 18 vjeçare, pa miratimin dhe pëlqimin e saj. Sipas Klodit, ish-bashkëshorti i saj nuk punonte dhe nuk kujdesej për familjen, por të gjitha paratë i luante në bixhoz.
Gjithashtu Klodi shtoi se situata në familje ishte përkeqësuar më shumë, pasi ish-bashkëshorti i saj kishte filluar të konsumonte alkool. Në këto momente ai kishte filluar të ushtronte dhunë të vazhdueshme mbi Klodin dhe dy fëmijët e tyre. Klodi e lodhur nga kjo situatë kishte vendosur që të largohej dhe kishte kërkuar ndihmën e prindërve të saj, Minushes dhe Ramazanit. Për shkak të mentalitetit dhe paragjykimeve, prindërit e saj i kishin kërkuar Klodit që të rikthehej me ish-bashkëshortin duke i dhënë një mundësi të dytë, por asgjë nuk kishte ndryshuar.
Për këtë arsye, Klodi kishte zgjedhur programin “Dua të të bëj të lumtur” si një urë komunikimi me prindërit e saj për tu kërkuar ndihmë, por edhe se ajo nuk dëshiron që të rimartohet siç kërkojnë Minushja dhe Ramazani.
“Ju e dini tepër mirë se pse jam larguar nga ai, por dua të dini se nuk do i lë kurrë fëmijët me atë. Unë nuk dua të martohem përsëri, dua që të rris fëmijët e vetme dhe të punoj e të jetoj vetëm për ta. Prandaj dua që të më ndihmoni dhe jo të më kërkoni që të rimartohem”,- ishte kërkesa që kishte Klodi për prindërit e saj.
Nga ana tjetër prindërit u shprehën se dhe ata nuk dëshirojnë që vajza e tyre të dhunohet dhe se vendimi i saj për tu ndarë ishte i duhuri. Sipas Minushes dhe Ramazanit, Klodi duhet të vazhdojë jetën se është akoma e re dhe të krijojë një familje tjetër duke lënë pas të shkuarën.
Në fund programi “Dua të të bëj të lumtur” në bashkëpunim me rrjetin e dyqaneve të parfumeve “Maison de Parfum” i ofruan Klodit që t’i paguajnë qiranë e shtëpisë dhe kopshtin e fëmijëve në mënyrë që ajo të jetë në gjendje që të rifillojë jetën sa më shpejt.
Top Channel