I vendosi emrin para 21 vitesh, vajza falenderon publikisht aktoren e madhe, Tinka Kurti

13/03/2021 22:39

Të gjitha historitë dhe ngjarjet që lidhen me ardhjen në jetë të një fëmije janë gjithnjë tepër të veçanta dhe emocionuese.

Por shpesh herë kemi dëgjuar raste ku prindërit e kanë tepër të vështirë që të vendosin për emrin e fëmijës së tyre. E tillë ishte edhe historia e Afeidës që u trajtua mbrëmjen e sotme në programin “Dua të të bëj të lumtur”.

Historia e Afeidës, vajzës nga Kosova ishte me të vërtetë e veçantë, pasi emri i saj ishte vendosur 21 vite më parë, nga vetë aktorja e madhe, Tinka Kurti. Prindërit e Afeidës, Mustafai dhe Mirlinda kishin ndjekur nga afër shfaqjen “Titaniku Shqiptar” në teatrin “Dodona” në Prishtinë, ku kishte interpretuar dhe aktorja e njohur, Tinka Kurti. Meqenëse ishte aktorja e tyre e preferuar ata i kishin kërkuar Tinkës që të vendoste emrin e fëmijës që po prisnin. Tinka një ditë më vonë i kishte dorëzuar çiftit një letër, ku i kishte sugjeruar dy mundësi, njëra ishte emri Afeida dhe tjetri Dea.

Familja e Afeidës kishte mundur që për një periudhë të gjatë kohe t’i ruante lidhjet me aktoren e mirënjohur, por babai i saj kishte humbur telefonin 16 vite më parë dhe mënyrat e tyre të kontaktit kishin humbur duke shkëputur çdo lloj komunikimi.

Për këtë arsye Afeida kishte zgjedhur programin “Dua të të bëj të lumtur” si një urë lidhëse midis familjes së saj dhe aktores së njohur, Tinka Kurti duke qenë se kishin parë në rrjetet sociale se moderatorja e programit, Arbana Osmani dhe regjisori i njohur, Eduart Grishaj ishin duke bashkëpunuar me Tinkën në filmin ”Sofia”.

“Ndoshta jam rritur nga hera e fundit që jemi takuar e nuk më mbani mend, por unë jam Afeida, vajza që ju i keni vënë emrin. Unë dua t’ju them se ju jam mirënjohëse, por dëshira ime më e madhe ka qenë që të të takoja sërish pas kaq shumë vitesh”,– ishte mesazhi i Afeidës për aktoren e njohur.

Aktorja e njohur, Tinka Kurti nga ana tjetër nuk e priste që këtë surprizë t’ia kishte përgatitur vajza së cilës i kishte vendosur emrin 21 vite më parë. Tinka rrëfeu momentet se si i kishte njohur prindërit e Afeidës dhe rikujtoi çastet kur kishte shkruar letrën ku kishte sygjeruar emrat për vajzën.

FOTO GALERI
2/5

Top Channel