George Floyd u vra nga polici/ Familja merr 27 milionë dollarë dëmshpërblim

13/03/2021 16:59

Qyteti Mineapolis pranoi të paguajë 27 milionë dollarë për mbylljen e procesit gjyqësor civil të çelur nga familja e George Floyd-it mbi vdekjen e tij në kohën që ishte ndaluar nga policia.

Përzgjedhja e jurisë vazhdon sakaq për gjyqin e ish-oficerit të policisë të akuzuar për vrasje. Këshilli Bashkiak i Mineapolisit doli nga një seancë e mbyllur për të njoftuar shifrën rekord, e cila përfshin 500,000 dollarë për lagjen ku Floyd u arrestua.

Avokati i familjes Floyd, Ben Crump, tha se kjo ishte marrëveshja paraprake më e madhe ndonjëherë për një çështje të të drejtave civile dhe sipas tij “dërgon një mesazh të fuqishëm se jeta e afrikano-amerikanëve ka rëndësi dhe brutaliteti i policisë kundër njerëzve me ngjyrë duhet të marrë fund”.

George Floyd, i cili ishte afrikano-amerikan, u shpall i vdekur më 25 maj pasi Derek Chauvin, një ish-oficer policie i bardhë, i peshoi me gjurin në qafë për rreth nëntë minuta. Vdekja e tij shkaktoi disa herë protesta të dhunshme në Minneapolis e më gjerë dhe solli një reflektim kombëtar për drejtësinë racore.

Familja e Floyd e ngriti në muajin korrik padinë kundër qytetit, oficerit Chauvin dhe tre efektivëve të tjerë të akuzuar për vdekjen e tij. Ajo pretendonte se oficerët shkelën të drejtat e Floyd kur e ndaluan dhe se qyteti lejoi që një kulturë e forcës së tepruar, racizmit dhe mosndëshkimit të lulëzonte në forcën e tij policore.

Top Channel