Çavuşoğlu: Turqia dhe Egjipti kanë filluar kontakte të nivelit diplomatik

13/03/2021 02:14

Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ka bërë të ditur se vendi i tij dhe Egjipti kanë filluar kontaktet e nivelit diplomatik pas disa vitesh me ndërprerjen e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Në një intervistë kryediplomati turk theksoi se, “Ne kemi kontakte me Egjiptin si në nivelin e inteligjencës ashtu edhe në nivelin e ministrive të jashtme. Kontaktet në nivelin diplomatik kanë filluar”.

Duke theksuar se asnjëra palë nuk parashtroi parakushte, Çavuşoğlu tha se lidhjet e shpërqendruara për vite nuk mund të ndërtoheshin menjëherë dhe në mënyrë të lehtë. Ai shtoi se mungesa e besimit po ashtu është normale në situata të tilla dhe mund të ndodhë për të dy palët. “Për këtë arsye, zhvillohen negociata dhe ato vazhdojnë në kuadër të një strategjie të përcaktuar, të një harte rrugore”, tha Çavuşoğlu.

Procesi i paqes afgane

Në lidhje me propozimin e SHBA-së për qeverinë turke për të pritur një takim të nivelit të lartë në javët e ardhshme midis përfaqësuesve të qeverisë afgane dhe talebanëve për të finalizuar një marrëveshje të paqes, Çavuşoğlu tha se Turqia është përfshirë në proces që nga fillimi.

“Ne jemi një nga vendet e pakta të ftuar në këtë ceremoni nënshkrimi dhe ne jemi një nga aktorët më të rëndësishëm në Afganistan”, theksoi Çavuşoğlu. Javën e kaluar, sekretari i shtetit i SHBA-së, Antony Blinken, në një letër dërguar presidentit afgan, Ashraf Ghani, tha se Washingtoni synon të kërkojë nga Kombet e Bashkuara (OKB) që të thirr në takim ministrat e jashtëm dhe të dërguarit e Rusisë, Kinës, Pakistanit, Iranit, Indisë dhe SHBA-së për të diskutuar si të promovojnë paqen në Afganistan.

Çavuşoğlu theksoi se Turqia është e besuar nga të dy palët e negociatave, duke theksuar më tej se, “Të dy palët, talebanët dhe delegacioni negociues, që do të thotë pala qeveritare, më parë na kërkuan që të organizojmë një takim të tillë”. Ai theksoi se Turqia po ashtu do të emërojë një të dërguar të posaçëm për Afganistan për të kontribuar në procesin e paqes.

Siç theksoi Çavuşoğlu, takimi nuk do të jetë alternativë e procesit të Katarit, por do të jetë një mbështetëse. “Ne do ta bëjmë këtë (takim) në koordinim me Katarin vëllazëror”, tha ai, duke shtuar se qëllimi është që bisedimet të vazhdojnë në një mënyrë të orientuar drejt rezultateve Çavuşoğlu tha se ai beson se Turqia me takimin, që është planifikuar të mbahet në Stamboll në muajin prill, do të “kontribuojë ndjeshëm”.

Kryediplomati turk foli edhe për marrëdhëniet e vendit të tij me Arabinë Saudite. “Nuk ka arsye që të mos përmirësojmë marrëdhëniet me Arabinë Saudite. Nëse ato hedhin hap pozitiv edhe ne do të hedhim. E njëjta vlen edhe për Emiratet e Bashkuara Arabe”, tha Çavuşoğlu./AA

Top Channel