Njerëzit po lindin binjakë më shumë se kurrë më parë, studimi (fotot)

12/03/2021 18:50

Studiuesit thonë se më shumë binjakë po lindin se kurrë më parë, dhe se bota e ka arritur tashmë kulmin e lindjeve të shumëfishta.

Rreth 1.6 milionë binjake lindin çdo vit në të gjithë botën, ose ndryshe rreth një në çdo 42 fëmijë të lindur.

Shtyrja e lindjes së fëmijëve nga gratë dhe teknikat e reja të fertilizimit artificial, kanë bërë që numri i binjakëve të lindur të trefishohet që prej viteve 1980-të.

Por tendenca mund të jetë në rënie pasi fokusi po zhvendoset në shtatzanitë me një bebe, të cilat janë më pak të rrezikshme, sipas studiuesve dhe politikë-bërësve.

Një studim global mbi riprodhimin njerëzor thotë se kulmi i këtyre lindjeve është arritur pas rritjes së konsiderueshme të numrit të binjakëve në 30 vitet e fundit, nga rritja prej rreth 32% në Azi, deri te ajo 71% në Amerikën e Veriut.

Studiuesit kishin mbledhur informacion për lindjet e binjakëve nga 165 vende për vitin 2010 deri në 2015, dhe i krahasuan ato me shifrat e viteve 1980 deri në 1985.

Përqindja e lindjeve binjake ishte më e lartë në Evropë dhe Amerikën e Veriut, ndërsa në rend global ajo është rritur nga nëntë në 12 për çdo 1,000 lindje.

Ndërsa në Afrikë shifrat e lindjes së binajëve kishin qenë edhe më parë të larta, dhe tashmë nuk kanë pasur ndryshime të konsiderueshme.

Prof Christiaan Monden, i Universitetit të Oxford, tha se për këtë ka një arsye.

“Shifrat e lindjes së binjakëve në Afrikë janë të larta prej numrit të lartë të binjakëve të quajtur ‘dizigotikë’ të cilët lindin nga dy vezë të ndryshme. Kjo vjen prej ndryshimeve gjenetike mes popullatave afrikane dhe popullatave të tjera”

Por atyre po u afrohen dhe shifrat e lindjeve në Evropë, Amerikën e Veriut dhe në vendet oqeanike, të cilat gjithnjë e më shumë po përdorin riprodhimin e asistuar me fertilizimin artificial, stimulimin e vezoreve dhe të tjera, që shtojnë gjasat e lindjeve të shumëfishta.

Prof Monden shton: “Lindjet e binjakëve lidhen me një vdekshmëri më të lartë mes bebeve dhe fëmijëve, si dhe me komplikacionet e shtatëzanisë për nënat, gjatë dhe pas lindjes.

Studiuesit thonin se për përspektivën, Kina dhe India pritet të luajnë rolin më të madh në shifrat e binjakëve./BBC/

FOTO GALERI
1/3
Rreth 1.6 milionë binjake lindin çdo vit në të gjithë botën

Top Channel