Nga zbulimi i drogës e armëve/ Qentë që trajnohen tani për koronavirusin

12/03/2021 17:57

Ekspertë në zbulimin e drogës, armëve dhe trupave, qentë e policisë në Amerikën Latine tani po trajnohen në një mision urgjent për të pikasur edhe koronavirusin.

Plane të ndryshme janë në zbatim, një ndër të cilët ai i policisë së El Salvadorit, që ka ndarë eksperiencën e saj gjatë një sesioni trajnimi me qentë e policisë nga shtatë vende, në qytetin meksikan, Xalapa.

Aftësia e nuhatjes e qenve ua mundëson atyre pikasjen e virusit, sipas studimeve mbi të cilat ky trajnim është bazuar. Nisma e El Salvadorit, përdor aroma artificiale të ngjashme me atë të djersës së një personi të infektuar.

Zyrtarët nënvizojnë se në trajnim, qentë kanë treguar efikasitet të madh në identifikimin e përbërësve të koronavirusit. Një skuadër prej 15 kafshësh pritet të nisë patrullimin në aeroporte, terminalë autobuzësh dhe pika kontrolli kufitare në tre muaj. Pseudo-aromat janë përdorur edhe që qentë të mësojnë të pikasin drogat apo eksplozivët. Në Meksikë, ku autoritetet raportojnë se 80 mijë persona janë zhdukur nga viti 2006 deri në 2020, disa kompani ofrojnë varietete aromash të tilla mes të cilave ato të një trupi të dekompozuar, të mbytur etj.

Top Channel