Grupi i Katërshes, gati planin/ Një miliard vaksina për Azinë juglindore

12/03/2021 21:10

Presidenti Joe Biden dhe kryeministrat e Japonisë, Indisë dhe Australisë takohen virtualisht në kuadër të atij që njihet si “Dialogu Katërsh mbi Sigurisë”, ku do të diskutojnë rreth strategjive për t’iu kundërvënë rritjes së ndikimit të Kinës në rajonin e Indo-Paqësorit përfshirë përballjen me diplomacinë ambicioze të Pekinit mbi shpërndarjen e vaksinave.

Gjatë konferencës telefonike me gazetarët, një zyrtar i administratës së Presidentit Biden tha se grupi i katërshes pritet të nisë një mekanizëm financimi për të prodhuar rreth një miliardë vaksina deri në vitin 2022 për të plotësuar kërkesat për vaksina në rajonin e Indo-Paqësorit kryesisht në vendet e Azisë Juglindore.

“Grupi ka bërë bashkë “mjete komplekse financimi” për të rritur në mënyrë dramatike kapacitetin e prodhimit të vaksinave”, u shpreh ai. Një tjetër zyrtar i administratës tha se Korporata Ndërkombëtare amerikane për Financim e Zhvillim po punon me kompani në Indi dhe qeveritë e Japonisë e Australisë për të rritur prodhimin e vaksinave tashmë të autorizuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Nuk është sqaruar sakaq nëse ky mekanizëm i vaksinave i grupit të katërshes do të funksionojë veçmas apo bashkë me COVAX-it, mekanizmin global për shpërndarjen e 2 miliardë vaksinave tek 94 vende të varfra deri në fund të vitit, pjesërisht duke përdorur vaksina të kompanisë AstraZeneca të prodhuara nga Instituti Serum i Indisë.

Top Channel