Porsche beson ende te benzina/ Investon për karburantet e pastra, sintetike

11/03/2021 12:53

Kalimi te makinat elektrike mund të jetë qëllimi kryesor i industrisë së automobilëve.

Por, tek Porsche besojnë ende te motori me djegie të brendshme, megjithëse edhe këtu investohen tashmë miliarda për zhvillimin e modeleve elektrike. Prodhuesi gjerman i makinave kërkon alternativa ekologjike, me qëllim që modelet e tij luksoze të lëvizin në rrugë edhe në të ardhmen.

Fjala është për elektro-karburantet apo e-fuels, benzinë sintetike metanoli, e prodhuar me hidrogjen ekologjik nga energjia e rinovueshme. Karburanti digjet njëlloj si benzina e bërë prej nafte, por pa emisione të gazrave serë. Mund të shitet në mbarë botën në rrjetin ekzistues të pompave të karburantit dhe pronarëve të Porsche-ve nuk u duhet të ndërrojnë motorët.

Muajin e kaluar Porsche njoftoi se karburanti i parë i tillë do të jetë gati në vitin 2022. Nëse benzina sintetike implementohet me të vërtetë me sukses, Porsche mund të kursejë miliona euro nga gjobat e vendosura nga BE për shkak të objektivave të mbrojtjes së klimës. Shtetet e BE ranë dakord në 2014, që prodhuesit e makinave deri në vitin 2020 të kufizojnë emetimet CO2 në 95 gram për kilometër për të gjitha modelet. Përndryshe. duke filluar nga ky vit, ata do të gjobiten. Lënda djegëse ekologjike do të prodhohet në jug të Kilit. Atje, Siemens Energy po ndërton së bashku me Porsche-n një impiant të ri industrial që do të shfrytëzojë erërat në këtë rajon. Atje ndodhet parku më i madh i erës në Amerikën e Jugut.

Zëdhënësi i Porsches Peter Gräve i tha DW se karburanti fillimisht do të përdoret për aktivitetet e sporteve motorike të Porsche. Kjo është interesante, sepse qarkullojnë fjalë, që prodhuesi i makinave sportive mund të kthehet në Formula 1 pas 30 vitesh mungesë. Formula 1 është obliguar për integrimin e karburanteve sintetike në sport deri në vitin 2025. Nëse projekti pilot ka sukses, karburanti do të përdoret edhe në modelin ekzistues.

Top Channel