Kompania amerikane farmaceutike “Pfizer” dhe partneri i saj gjerman “BioNTech” insistuan se sipas të dhënave në terren që vijnë nga Izraeli, vaksina e tyre kundër COVID-19-s është 94% efektive në parandalimin e infeksioneve asimptomatike, pra mund të zvogëlojë ndjeshëm transmetimin e virusit.

Kompanitë thanë gjithashtu se nga një analizë e fundit e të dhënave që ofrojnë autoritetet izraelite, del se vaksina ishte 97% efektive në parandalimin e rasteve simptomatike të sëmundjes, rasteve të rënda që çojnë në vdekje. Në parim, të dhënat përputhen me efikasitetin prej 95% të raportuar në dhjetor nga Pfizer-BioNTech, sipas rezultateve të provave klinike të fazës së fundit.

Të dhënat në terren tregojnë gjithashtu se vaksina është efektive edhe ndaj një varianti tejet ngjitës të COVID-19-s të zbuluar për herë të parë në Britani. Izraeli kryeson në nivel botëror për sa i takon vaksinimit të popullatës, pjesërisht për shkak të një marrëveshjeje për të ndarë të dhëna me Pfizer-BioNTech-un.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë deri të mërkurën, rreth 55% nga 9 milionë banorë që ka vendi kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës së Pfizer/BioNTech-ut, dhe 43% kanë marrë të dyja dozat. Nga analiza e të dhënave, personat e pa vaksinuar kishin 44 herë më shumë gjasa të zhvillonin sëmundje me simptoma dhe 29 herë më shumë të ngjarë të vdisnin nga COVID-19 sesa ata që ishin imunizuar.

Top Channel