Dyshime për manipulim votash/ Ramush Haradinaj kërkon rinumërimin

11/03/2021 15:21

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kërkuar të enjten nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rinumërim të plotë të votave të zgjedhjeve të 14 shkurtit dhe dënimin e keqpërdorueseve të votave.

Ai u ka thënë mediave se AAK-ja është e shqetësuar me keqpërdorimet e votave, që kanë ndodhur në disa raste nga komisionerë, të cilët i ka konsideruar të papërgjegjshëm.

 “Kërkojmë nga organet e rëndit, ligjit dhe hetuesisë që kriminelet e votës të të gjitha partive të përfundojnë në burg. Ne nuk kontestojmë rezultatin e zgjedhjeve, nuk e di pse dikush duhet të jetë kundër rinumërimit”, u shpreh Haradinaj.

Pas ngritjes së dyshimeve për manipulim të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit, Meliza Haradinaj-Stublla të martën, më 9 mars, ka thënë dorëheqje nga drejtimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës si dhe nga funksionet në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka thënë se “dyshimet për manipulim të votave të kandidatëve për deputetë e kanë dëmtuar procesin zgjedhor, por ajo nuk beson se ka arsye për rinumërim total të votave”. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli më 4 mars rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit. Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka shënuar fitore bindëse, duke siguruar 58 vende në legjislaturën e re.

Sipas rezultatit përfundimtar, Partia Demokratike e Kosovës do të ketë 19 vende në kuvend, Lidhja Demokratike e Kosovës, 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të ketë tetë deputetë.

 

Top Channel