Kryeministri grek, apel për paqe pas dhunës në protestat kundër brutalitetit të policisë (fotot)

10/03/2021 21:07

Pas shfaqjes së disa pamjeve ku oficerët grekë të policisë dukej se godisnin me shufra hekuri një person për shkelje të kufizimeve të pandemisë, të rinjtë protestues kanë sulmuar dje patrullat e policisë duke shkaktuar disa të plagosur mes oficerëve.

Qeveria greke ishte tërhequr sot në mbrojtje duke bërë thirrje për qetësi në rrugët e Athinës, teksa qytetarët janë të tërbuar me izolimin e tejzgjatur të koronavirusit.

Kyriakos Mitsotakis bëri apel për qetësi pas dhunës së të martës mbrëma ku të paktën tre oficerë u plagosën në betejat e rrugës, në një prej të cilave të rinjtë protestues sulmuan patrullën e motocikletave të policisë.

Të rinjtë qëlluan gjithashtu me gurë, ndërsa policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës, ujë me presion dhe granata shurdhuese.

“Unë i adresohem të rinjve, të cilët janë të destinuar të krijojnë e jo të shkatërrojnë,” tha Mitsotakis në fjalimin televiziv, pasi u kuptua se një prej policëve ishte tërhequr prej motoçikletës dhe ishte rrahur në rrugë.

“Tërbimi nuk të çon askund. Duhet të shërbejë si një thirrje zgjimi fakti se jeta e një polici u rrezikua. Të gjithë duhet të tregojnë qetësi dhe përmbajtje”.

Por sot tensionet mbeteshin të larta dhe mijëra studentë ishin përsëri në rrugë duke denoncuar qeverinë e qendrës së djathtë dhe planet e saj për vendosjen e policëve të armatosur në kampuset universitare.

“Zemërimi po akumulohet,” tha 20 vjeçari Panagotis Katis, student i shkencave politike në universitetin e Peloponezit.

“Jo vetëm policia në kampuse, por njerëzit janë të tërbuar për të drejtat e tyre që dhunohen nga policia, prandaj ne jemi këtu sot”, shtoi ai.

FOTO GALERI
2/7
Prandaj të rinjtë protestues kanë sulmuar dje patrullat e policisë duke shkaktuar disa të plagosur mes oficerëve.

Top Channel