Sipas Ilir Yzeiri proceset e përzgjedhjes së kandidatëve të partive politike nisin si demokratike por asnjëherë nuk përfundojnë si të tilla.

Analisti thotë se komisioni që ngriti Partia Demokratike për përzgjedhjen e kandidatëve dështoi të ishte transparent, siç u tha në fillim. “PD ngriti një komision për zgjedhjen e kandidatëve disa muaj më parë dhe e shpalli këtë proces si një nga mënyrat për të reformuar jo vetëm Partinë Demokratike, por për të treguar një model të ri në përzgjedhjen e kandidatëve. Por, siç e vumë re më pas, ky komision rezultoi nul sepse kandidatët që ai përzgjodhi ne nuk i pamë asnjëherë. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha mandatoi në rrethe të caktuara dhe këtu rasti më flagrant është ia i Dritan Shehut, në krye të qarkut të Gjirokastrës dhe ai i Mark Markut në qarkun e Lezhës.

Se çfarë u bë më tej, me emra që u futën duke anashkaluar këtë komision, këtë e dimë të gjithë. Kjo tregon se PD nuk u tregua e sinqertë, korrrekte, me zgjedhësit e saj dhe me publikun”.

Të njëjtën kritikë ka edhe për Partinë Socialiste. “Platforma që ngriti Rama ishte më shumë një përpjekje e PS për ta bërë procesin më të pëlqyeshëm, por ne e dimë të gjithë që me peshën që kanë kryetarët e partive, Rama në rastin e PS-së dhe Sali Berisha në rastin e PD-së, është shumë e vështirë që proceset që nisin si demokratike të përfundojnë si të tilla. Ne nuk e dimë se kush kanë qenë ata ose sa u propozuan te platforma “Deputetët që duam”, sepse nuk patëm asnjëherë një transparencë për këtë proces. Publiku nuk u njoh me emrat që u propozuan nga Partia Socialiste dhe cilët ishin ata që fituan. Ne kemi parë një paraqitje spektakolare të Ramës në shesh, në vende të mbyllura, ku ai paraqet një ose dy kandidatë“.

 

Top Channel