Sfida mes Burnley dhe Arsenalit ngriti siparin e javës së 27 të Premier Leagues angleze. Në Turf Moor Stadium kjo përballje nuk pati asnjë fitues pasi përfundoi me rezultatin e barabartë 1-1.

Sfida nisi në mënyrën më të mirë të mundshme për Topçinjtë e Londrës që gjetën golin e avantazhit që në minutën e 6 me Pierre Emerick Aubameyang.
Reagimi i Burnley u pa pas gjysmë ore kur Wood tentoi të shënojë në portën e Arsenalit, por u ndal nga portieri Leno. Nuk vonoi shumë dhe po ky futbollist gjeti golin e barazimit për Burnley, një gol ku protagonist negativ u bë Granit Xhaka.

Mesfushori kosovar i përfaqësueses zvicerane pasi mori pasimin nga Leno, gaboi në largimin e topit që u përplas në trupin e Wood që e falenderoi për këtë ‘dhuratë’ duke e dërguar topin në rrjetë për të barazuar shifrat në 1-1.

Në pjesën e dytë edhe pse rastet e shënimit nuk munguan si nga Arsenali ashtu dhe Burnley rezultati nuk ndryshoi dhe mbeti 1-1 me skuadrat që dolën nga fusha e lojës me nga vetëm 1 pikë, me Arsenalin që mbetet në vendin e 10, ndërsa Burnley e rrit në 7 diferencën e pikëve me zonën e rënies nga kategoria.

Top Channel