Pas rënies së diktaturës në fillim të viteve ‘90 shumë shqiptarë emigruan në vende të ndryshme të Europës. Me kalimin e viteve ata nisën të integroheshin plotësisht në vendet ku ishin shpërngulur dhe nisën të krijonin familjet e tyre jashtë kufijve të atdheut.

Pikërisht fillimi i viteve 2000 është pikënisja e një gjenerate të re për futbollin shqiptar me talente që janë lindur dhe formuar si futbollistë në vendet ku familjet e tyre kanë hedhur rrënjë. Janë talente që vijnë nga vende si Italia, Greqia, Gjermania, Anglia, Zvicër, etj.

Pothuajse të gjithë kalojnë përmes filtrit të krijuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, që ka ngritur zyra me përfaqësues të saj në të gjitha vendet e kontinentit ku jetojnë shumë familje shqiptare e të cilët janë përgjegjës për zbulimin e futbollistëve të rinj. Është shumë e rëndësishme që futbollistët të evidentohen që në moshë të vogël, pasi rreziku është i madh që ata të “rrëmbehen” nga kombëtaret e vendeve ku janë lindur e rritur.

Një shqetësim të tillë e kishte shprehur edhe trajneri kuqezi, Edoardo Reja në prag të nisjes së edicionit të Nations League vitin e kaluar, kur sapo kishte ftuar në Kombëtare një lojtar si Ramen Çepele, mbrojtësin 17-vjeçar të rritur tek Interi i Milanos, e që u transferua në Gjermani te Hanoveri. Një futbollist që ishte ndërkohë në xhiron e lojtarëve të kombëtares italiane të moshave.

“Është rasti i 17-vjeçarit që kam thirrur, kam folur me prindërit e tij, sepse ai ishte pjesë e kombëtares italiane dhe kemi pasur pak vështirësi që ta bindnim. Por Çepele është një lojtar që në të ardhmen mund të jetë i rëndësishëm për Shqipërinë.

Kam kërkuar dhe ende po kërkoj dhe kemi monitoruar në arenën ndërkombëtare edhe lojtarë të datëlindjeve 2004, 2005 edhe të 2006 që mund të jenë eventualisht pjesë e kombëtares. Por, dikush luan në Itali, dikush në Francë dhe lindin në këto vende, bëhet e vështirë kur i kërkohet nëse duan të bëhen pjesë e Kombëtares shqiptare.

Sepse presin fillimisht ftesën e vendit ku janë lindur. Por unë po punoj dhe mungon ende ndonjë emër tjetër në listë, sepse kam folur me disa prindër dhe me disa djem që luajnë në Itali dhe janë pjesë e kombëtareve italiane të moshave, të cilit nuk ua them dot emrat. Po punoj për momentin me këto emra dhe për të ardhmen disa edhe më të rinj. Ka shumë shqiptarë të rinj që luajnë në Itali, por jo vetëm. Edhe në Zvicër edhe në Gjermani, edhe në Angli ka lojtarë të mirë, të cilët kanë kombësi shqiptare dhe këto duhet t’ia afrojmë gradualisht me Kombëtaret tona”, – deklaroi tekniku italian në një nga konferencat e tij të fundit.

Risitë e Nations League – Kjo është edhe një nga arsyet pse lojtarët e talentuar po afrohen direkt në Kombëtaren e madhe dhe po u jepet mundësi ta provojnë veten në skenën e “të mëdhenjve”. Një gjë të tillë e konfirmoi edhe vetë trajneri Reja teksa shpjegoi zgjedhjet e tij gjatë edicionit të kaluar.

“Ka qenë projekt i Federatës që në momentin që kam firmosur me Presidentin Duka që ne të ndërtojmë një skuadër që të synojmë Euro 2024. Projekti final ishte për të ndërtuar një skuadër kompetitive dhe dinjitoze për 2024. Kam menduar t’i jap hapësirë lojtarëve të rinj, kam marrë futbollistë si Molla, Broja, Vrioni, Doka, Selahi, Kallaku, Çokaj, Çekiçi, të cilët janë pak a shumë 20 vjeç dhe pas katër vitesh do jenë më të pjekur. Sigurisht, disa prej tyre unë i kam marrë edhe në ndeshjet e kaluara, por nuk janë aktivizuar. Në momentin që unë nuk i aktivizoj, është e kotë që t’i marr, t’i thërras dhe t’i lë në stol. Kështu që mendova se është një moment i mirë për t’i marrë dhe për t’i ingranuar gradualisht në skuadër dhe për t’i provuar”, – deklaroi asokohe tekniku.

Në ndeshjen e tetorit 2020 ndaj Kazakistanit në Nations League në listën e Kombëtares kishte plot 10 debutues. Duke filluar nga më i riu, Marco Molla, gjigantin 18-vjeçar të portës që aktivizohet me skuadrën U-19 të Bolonjas në Itali e për të vazhduar me Marash Kumbullën, yllin e merkatos së verës për të cilin Roma pagoi rreth 17 milionë euro për ta pasur në gjirin e saj. Në fakt kjo ishte ndeshja e parë e Kumbullës si titullar, edhe pse ishte ftuar në disa ndeshje të tjera në të kaluarën, por pa mundur të lërë shenjën. Bëhet fjalë për një lojtar që realizoi një sezon të shkëlqyer me Veronën në Seria A, duke tërhequr vëmendjen e klubeve më të mëdha të Italisë. Dhe është vetëm 20 vjeç!

Për të vazhduar më tej me Albi Dokën, mbrojtësin e formuar te Tirana e që këtë sezon u transferua në Kroaci te NK Gorica. 23-vjeçari arriti të marrë ftesën e tij të parë në Kombëtaren A pasi kishte luajtur me të gjitha moshat, ashtu si edhe Jon Mersinaj. Mbrojtësi i Lokomotivës së Zagrebit ishte i pafat këtë herë pasi pësoi një dëmtim, por e ardhmja duket e ndritur për 21-vjeçarin. Më tej, lista vazhdon me Enis Çokajn, i cili gjithashtu luan te Lokomotiva e Zagrebit së bashku me Mersinajn, por edhe Sherif Kallakun, tjetër debutues. Që të tre lojtarë të rregullt me ekipet kombëtare të moshave e që tashmë kanë mundësinë të bëjnë hapin e madh të karrierës.

Në sulm, risitë për këtë radha ishin dy emra prej të cilëve pritet shumë: Armando Broja, 19-vjeçarin e rritur te Çelsi i Londrës dhe i huazuar momentalisht te Viteshe në Holandë. Një sulmues me të dhëna të shkëlqyera e që ka mundësi të rritet, pasi është ende shumë i ri. Tjetri është Giacomo Vrioni, i cili bëri bujë kur u transferua vitin e kaluar te Juventus U-23 dhe madje debutoi edhe në skuadrën e parë përkrah emrave si Ronaldo & Co. 21-vjeçari premton shumë për të ardhmen dhe së bashku mund të formojnë një dyshe ëndrrash.

Brezi i moshave – Por këto që përmendëm në fakt janë vetëm disa nga emrat e rinj në xhiron e Kombëtares e që u është dhënë mundësia për të treguar se sa vlejnë në Kombëtaren A. Në fakt, janë shumë herë më shumë të rinj të talentuar që militojnë në ekipet Kombëtare të moshave U-21, U-19, U-17, U-15, etj. Lojtarë kryesisht të rritur jashtë si mbrojtësi Geraldo Bajrami, mesfushorët Armando Dobra e Kristjan Asllani, sulmuesi Emiljano Bullari, të cilët janë aktualisht pjesë e Shpresave. Për të vazhduar më pas edhe me Albion Ademin në Finlandë, vëllezërit Agon dhe Arbnor Muçolli në Danimarkë, Dean Liço që është në pronësi të Lacios, etj.

Por ajo që vihet re është se ka edhe shumë lojtarë që janë rritur në klubet shqiptare e që po shkëlqejnë edhe në Kombëtaret e moshave. Mjafton të kujtojmë emra si Ernest Muçin, që u transferua pak ditë më parë nga Tirana për te Legia e Varshavës apo Marsel Ismajlgeci, Jurgen Çelhaka, Indrit Tuci, etj. Në fakt, këto janë frytet e investimeve që janë bërë në sektorin e moshave nga klubet që me ndihmën e Federatës Shqiptare të Futbollit kanë ndryshuar strategjitë e tyre dhe po u kushtojnë gjithmonë e më shumë rëndësi evidentimit dhe kultivimit të talenteve të reja. Jo vetëm klubet, por edhe akademitë që janë hapur vitet e fundit po prodhojnë lojtarë mjaft të vlefshëm për futbollin e madh. Me të rinj e që përzgjidhen nga klubet e huaja dhe me talente që rriten në fidanishtet e klubeve e akademive shqiptare, ekipet kombëtare nuk vuajnë aspak për prurje të reja. Përkundrazi, tashmë mund të ketë probleme luksi për të përzgjedhur më të mirët e më të mirëve, duke vënë në pozitë të vështirë edhe shumë nga trajnerët kuqezi, të cilët nuk mund t’i kënaqin të gjithë.

Objektivat e FSHF – Kënaqësinë për brezin e ri nuk e ka fshehur as Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili ka theksuar se me këto talente mund të synohet edhe kualifikimi për në finalet e EURO 2024. Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar ka shprehur bindjen se kjo gjeneratë të mbush e optimizëm dhe na bën të ndihemi mirë për të ardhmen.

“Objektivi kryesor duhet të jetë 2024. Objektivi ynë i merituar, duke parë brezin qoftë të U-21, qoftë edhe lojtarët me ekipin e parë, duken premtues që do të kemi një ekip të mirë për t’u kualifikuar në 2024. Kemi një brez të ri të mirë, pra që premton, jo vetëm ato që luajnë në ekipin e parë, të cilët kanë ardhur nga Shpresat, por janë edhe disa futbollistë të tjerë që mund të kalojnë në ekipin e parë për t’u bashkuar, për t’u ambientuar dhe për të qenë në perspektivë kjo skuadër që unë them për 2024. Nëse do shohim ndeshjet e fundit të ekipit Shpresa, jo vetëm me rezultate, por edhe me lojëra të mira dhe me futbollistë që vërtetë spikasin, këto do të ftohen në ekipin e parë. Kjo të mbush me një lloj optimizmi”, – ka deklaruar Presidenti Duka, duke shtuar se asgjë nuk vjen nga rastësia dhe se ky është rezultat i një pune të mirë që bëhet prej vitesh nga FSHF, por edhe klubet shqiptare. “Ne i mbështesim talentet. Ata janë fryt i punës së përbashkët i gjithë futbollit shqiptar dhe janë e ardhmja e ekipit të parë. Kemi parë shumë lojtarë nga kampionati shqiptar, të cilët kanë dëshirë për të luajtur dhe japin maksimumin në fushë. Kemi parë lojtarë që shkëlqejnë vetëm falë seriozitetit, dëshirës dhe përkushtimit maksimal”.

Analiza e Bushit – Në të njëjtën linjë edhe trajneri i ekipit kombëtar Shpresa, Alban Bushi, i cili ka deklaruar se Kombëtarja A do të ketë prurje të mëdha në të ardhmen duke parë talentet e shumta që po rriten te moshat. Sipas tij, prioriteti kryesor i ekipit U-21 mbetet furnizimi i Kombëtares A dhe se zgjedhjet nuk mungojnë.

“Ekipi i Shpresës sa herë që grumbullohet ka 10 ose 12 lojtarë të rinj, disa i merr Kombëtarja A dhe kjo tregon që është bërë një punë e mirë tek ekipet e moshave të Shqipërisë. Federata e Futbollit ka ndërtuar një strategji shumë të mirë, duke krijuar ekipe nga U-13 që do të marrë pjesë në kampionatin e Kategorisë Superiore këtë vit U-15, U-17, U-19, U-21. Kjo është një punë që ka filluar herët dhe jep frytet e veta tani. Sa herë që kemi mungesa, ne nuk është se i ndjejmë ato mungesa. Përsëri ekipi është mirë dhe kjo tregon që kemi një brez që po vjen dhe kemi shumë alternativa. Kjo do të thotë që ekipi kombëtar A nuk do të vuajë në të ardhmen”, – thotë Bushi, duke shtuar se Shqipërisë i ka ardhur në brez, duke filluar nga vitlindja 1998 e deri te ajo 2002, që po spikasin në ekipet e moshave.

“Mendoj që me këto moshat e vogla jemi bërë një Francë e vogël që ka aq shumë lojtarë sa lojtarët e mirë nuk i grumbullon fare, pra nuk është se ato lojtarë që nuk kanë ardhur këtë radhë nuk do të jenë në të ardhmen. Ato mund t’i grumbullojë edhe kombëtarja A, sepse janë lojtarë shumë cilësorë. Dhe këta janë shumë të mirë, pastaj do zgjedhësh më të mirën, ne ku ta gjejmë që nga gjithë të mirët të zgjedhim më të mirën. Është një luks për trajnerin por edhe konkurrenca i bën mirë, sepse e shoh sa herë që kemi konkurrencë në ekip, ata japin gjithmonë më të mirën. Rëndësi ka çfarë jep në fushë. Te Kombëtarja mendoj që duhet të fokusohemi vetëm te kombëtarja, nuk më interesojnë emrat se nga kush klub vijnë apo se kush je”, – deklaroi tekniku i kuqezinjve të vegjël. Me pak fjalë e ardhmja e futbollit shqiptar premton shumë./SuperSport

Top Channel