SHBA sfidon hapur Rusinë, i dërgon bombarduesin bërthamor

04/03/2021 13:33

Forca Ajrore e SHBA njoftuan se një bombardues amerikan me aftësi bërthamore e rreze të gjatë veprimi fluturoi mbi kryeqytetet e Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë.

Fluturimi u bë në shenjë solidariteti me aleatët e NATO-s, mes shqetësimeve të Perëndimit për një shtim të agresivitetit të Rusisë. “Ky mision dërgon mesazhin e qartë se angazhimi ynë ndaj aleatëve tanë të NATO-s është i patundur,” tha gjenerali Jeff Harrigian, komandanti i Forcës Ajrore të SHBA në Europë dhe në Afrikë.

“Ne jemi këtu së bashku”, tha ai. Lituania, Letonia dhe Estonia që dikur qeveriseshin nga Moska, janë sot anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Europian. Të tre vendet baltike kanë pranuar trupa të NATO-s dhe të SHBA-së në tokën e tyre që nga viti 2014, kur Rusia pushtoi gadishullin e Krimesë të Ukrainës, e cila nuk është anëtare e aleancës.

Bombarduesi, është një nga katër avionët e këtij lloji të dislokuar në Norvegji më 22 shkurt, për të operuar në rajonin strategjik të Arktikut për disa javë. Është hera e parë që ky lloj avioni vendoset në Norvegjinë themeluese të NATO-s e që ka kufi të përbashkët me Rusinë në Arktik. Të gjithë bombarduesit shoqërohen nga një personel i Forcës Ajrore të SHBA prej 200 personash.

Top Channel