Muaji shkurt ishte mjaft i komplikuar për Milanin, që dorëzoi edhe kreun e renditjes, por kuqezinjtë ia dolën të triumfojnë në një transfertë të vështirë si ajo ndaj Romës dhe rigjetën disi qetësinë e munguar.

Megjithatë nesër skuadra e Piolit do të përballet me Udinesen në “San Siro”, në një sfidë ku do të kërkojë një tjetër fitore, ndërsa tekniku kuqezi nuk është aspak i qetë, pasi dëmtimet ia kanë komplikuar punën.

“Na pret një ndeshje mjaft e vështirë, ndaj një skuadre që rreshtohet mirë mbrapa dhe zbret shpejt në kundërsulm. Duhet të fitojmë patjetër, ndonëse edhe këtë herë përballemi me mungesa mjaft të rëndësishme. Për fat Rebiç është mirë dhe mund të luajë nga minuta e parë nesër, ashtu si edhe Leao”, deklaroi trajneri Pioli.

Pas disa ndeshjeve ku kishte përfunduar në qendër të kritikave, kapiteni Alessio Romagnoli u la në pankinë në transfertën ndaj Romës dhe zëvendësuesi i tij Tomori bëri mjaft mirë në fushë. Megjithatë Pioli duket se gëzon respekt për kapitenin e kuqezinjve dhe paralajmëroi se mund ta aktivizojë sërish nga minuta e parë nesër.

“Kjaer e Tomori bënë mjaft mirë ndaj Romës, por nuk e di a do t’i konfirmoj sërish. Me Romagnolin fola para se ta lija në pankinë, pasi nuk ishte një ndëshkim për të, por thjesht një mundësi për të pushuar”, tha Pioli.

Top Channel