Greqia në alarm nga infektimet/ Nga 2359 të infektuar, 1159 janë në Athinë. Mbi 300 në Selanik

03/03/2021 01:24

Alarm të kuq ka shkaktuar në Greqi numri tepër i lartë i rasteve të të prekurve me Covid-19 në 24 orët e fundit. Nga 2359 të infektuar, 1159 janë regjistruar vetëm në Athinë dhe mbi 300 në Selanik, ndërsa në total prej fillimit të pandemisë vendi numëron mbi 194000 raste.

Gjithashtu 22 persona kanë humbur jetën duke e çuar numrin e viktimave nga koronavirusi në 6557. Ndërsa shqetësues është dhe rritja e numrit të të intubuarve që ka shkuar në 422.

Sipas autoriteteve shëndetësore orët e ardhshme cilësohen tepër kritike pasi kapaciteti i dhomave të terapisë intensive në Athinë ka shkuar në 93%, ndërsa brenda disa ditëve numri i pacientëve me Covid në spitalet e kryeqytetit ka shkuar nga 1670 në 2070. “Le të bëjmë të gjithë një përpjekje të madhe dhe të fundit” ka deklaruar kryeministri grek gjatë vizitës në repartin e terapisë intensive të një prej spitaleve tashmë të mbushura plot të kryqytetit grek.

Ndërsa të mërkurën mblidhet urgjent komisioni i specialistëve të pandemisë për të shqyrtuar gjendjen alarmante, me shumicën e Greqisë të shndërruar në zona të rrezikshmërisë së lartë, duket se në tryezë do të hidhet propozimi për një lockdoën të përgjithshëm me ndalim qarkullimi në të gjithë vendin për të paktën dhjetë ditë.

Kjo për shkak se asnjë prej masave të deritanishme nuk po jep rezultat dhe megjithëse numri i të vaksinuarve po i afrohet gati shifrës prej 1 milion. Gjithashtu duket se një prej masave që mund të merren përveç të tjerash, do të jetë edhe përdorimi i maskës dyshe në vendet ku ka shumë njerëz, si supermarkete apo tregje ushqimore të hapura.

Top Channel