Greqia goditet nga tërmeti/ Dhjetëra lëkundje! Sizmiologu: Shqipëria mos shqetësohet (Fotot)

03/03/2021 18:32

Një prej brigadave të shpëtimit  ka nxjerrë nga rrënojat e shtëpisë në Mesohori të Elasonës në Thesali, një të moshuar që nuk mund të dilte jashtë gjatë lëkundjeve të tërmetit që goditi Greqinë qendrore 16 minuta pas mesditës.

Video të shumta bënë xhiron e mediave greke duke treguar çastet e para të panikut kur tërmeti prej 6 ballësh shkalla Rihter është regjistruar në një thellësi prej 7.8 km vetëm 14 km në veri të Larisës.

Tre minuta më vonë, pasoi një lëkundje e dytë e shkallës  4.9 Rihter dhe brenda 30 minutash ndodhën dy të tjera 4,7, dhe 4,2 Rihter.

Pas lëkundjes së parë banorët në gjithë Thesalinë dolën në rrugë të tmerruar ndërsa thellësia e vogël ishte shkak që lëkundjet të ndjeheshin në gjithë vendin veçanërisht në Greqinë qendrore, në krahinën e Maqedonisë Perëndimore madje dhe në vendet e Ballkanit si Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe sidomos në Shqipërinë qendrore.

I pyetur nga Top Channel nëse duhet të shqetësohen banorët në Shqipëri, sizmologu i njohur dhe kreu i studimeve gjeologjike në Univesitetin Aristotelis të Selanikut,  Kostas Papazahos ka thënë: Nuk duhet aspak të shqetësohen. Është një fenomen natyror, shumë tipik në këto raste pra nuk ka asnjë, asnjë arsye për tu shqetësuar. Është si ato lëkundjet e kunjave, që në fillim është lëkundja e madhe, pra kjo që ndodhi tek ne dhe më pas vjen duke u zbutur. Është e kuptueshme që njerëzit aty shqetësohen pasi janë munduar dhe frikësuar shume nga tërmeti i atëhershëm, por bëhet fjalë për një tërmet që është shumë larg, në një pllakë sizmike që e ka çliruar dinamizmin e saj dhe e cila nuk mund që të japë një tërmet më të madh në zonën në fjalë.

Ndërkohë autoritetet njoftojnë për dhjetëra shtëpi të vjetra që janë shembur, madje edhe kisha e shkolla për fat të mirë pa nxënës brenda. Ka gjithashtu edhe rrëshqitje shkëmbinjsh në disa rrugë dytësore apo dëmtime urash. Për shumë orë ka pasur probleme në rrjetin telefonik dhe ujësjellësin.

Zyrtarë  nga Ministria e Infrastrukturës, së bashku me një grup inxhinierësh të urdhëruar nga kryeministri, kanë mbërritur në zonë dhe një helikopter i Brigadës së Zjarrfikësve ka kryer mbikëqyrje ajrore për të zbuluar dëmet.

“Ishte shumë e papritur dhe u frikësuam. Unë jetoj në katin e pestë. Ishte një përvojë e frikshme. Shpresojmë se ky ishte tërmeti kryesor”, tha një grua.

Sipas sizmologëve, aktiviteti post-sizmik do të jetë intensiv në ditët në vijim ndaj Mbrojtja Civile e  Larisës ka këshilluar banorët të mos futen në shtëpitë e vjetra, por ta kalojnë natën në vende të sigurta, ndërsa shkollat do të mbeten të mbyllura.

Nga ana tjetër thuhet se ishte fat që u çlirua një energji kaq e madhe pa asnjë viktime në një zonë që tërmete të tilla jep njëherë në dy tre shekuj.

Nga të parët që kanë telefonuar ministrin e Jashtëm grek për t’i ofruar Greqisë ndihmën e duhur kanë qenë ministrat e Jashtëm të Turqisë dhe Italisë.

FOTO GALERI
3/17

Top Channel