Sot shembet Ura e Tapizës/ Ministrja Balluku: Nuk kemi probleme me trafikun, po shërben bypassi

02/03/2021 12:14

Ditën e sotme ka nisur puna për ndërtimin e urës së re të Tapizës, e cila mori goditje të forta nga tërmeti i 26 nëntorit.

Për shkak të punimeve është bërë devijimi i qarkullimit të automjeteve ndërsa e pranishme është ministrja Belinda Balluku dhe Drejtori ARRSH, Ergys Verdho, të cilët po inspektojnë punimet që po bëhen.

“Ura e Tapizës është përfshirë në projektin e rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit. Para tërmetit, kemi nisur një skanim të të gjithë urave në Shqipëri pasi janë të ndërtuara rreth viteve 70 dhe kanë një kohë përdorimi mbi 50 vite. Ka pasur herë pas herë riparime, por jo të thella. Kemi nxjerrë pasaportat për cdo urë duke krijuar një dosje për secilën dhe duke kuptuar prioritetet që kemi.

Ura e Tapizës pësoi dhe një goditje gjatë tërmetit të 26 nëntorit, kështu që u përfshi në programin e rindërtimit. Kemi nisur nga puna. Sot kemi nisur prishjen e urës ekzistuese”, tha Balluku.

Ura e re e cila do të ndërtohet do të përmbush të gjitha kushtet e sigurisë rrugore. Drejtori ARRSH, Ergys Verdho ka zbuluar detajet duke thënë:

 “Jemi marrë me devijimin e trafikut, me konsultimet me policinë e shtetit dhe të qarkullimit rrugor për devijim. U morëm sme sigurinë rrugore dhe sinjalistikën e bypass dhe tani nisi prishja e urës së vjetër 50 vjeçare, dhe nga goditjet e tërmetit i pati lëkundjet e veta. Do përfitojmë një urë të re me 3 hapësira drite nga 40 metra, me 13.2 gjerësi në maksimum, kemi 7.5 karrexhatë të asfaltuar, 1.5 bankina të asfaltuara dhe 1.35 të dy anët e urës do kemi trotuarët e saj.”

Ndërsa ministrja Balluku theksoi se bypassi do të shërbejë për mos krijuar bllokime të trafikut ndërsa do të jetë krejtësisht funksional deri më 30 shtator 2021.

“Nuk kemi probleme me trafikun sepse bypassi i shërben të gjithë trafikut pa krijuar bllokime në këto momente, ndërkohë po flisnim që për shkak se ura ishte e amortizuar, ishte një pikë ku kishim ngecje të trafikut ndërsa po të shohësh sot, rrjedha është normale pavarësisht se bypassi do të jetë provizor dhe funksional do të jetë në 10 muajt e ardhshëm. Synimi jonë është që ta dorëzojmë deri në 30 shtator 2021, pra 10 muaj punë dhe një fond prej 1.5 milionë dollarësh i vënë në dispozicion”, tha Balluku.

Top Channel