Nëna e re 32 vjeçare vret veten pas depresionit, përdhunimit në grup/ Homazhet e motrës (fotot)

02/03/2021 21:52

Një nënë e re e përkushtuar ka marrë jetën e saj në Britani, pasi nuk arriti të përballonte një seri ngjarjesh të rënda, mes të cilave dhe një sulm brutal seksual.

32 vjeçarja Nicola McIntyre, pësoi probleme të shëndetit mendor pas maktheve të përdhunimit të tmerrshëm në grup dhe tradhtisë nga një kolege e punës, u tha në gjykatën e Hull.

Punonjësja e supermarketit që përshkruhej si “e dashur e zbavitëse” nga dy motrat e saj, u gjet e vdekur në lindje të qytetit të saj Hull, më 29 gusht të vitit të shkuar pasi kishte marrë një sasi të madhe qetësuesish, të dhëna nga mjekët.

Motra e saj Sarah McIntyre tha: “Ajo ndriçonte dhomën kur hynte dhe dëshironte vetëm të qeshte. Në mbledhjet familjare, dëgjoheshin gjithmonë të qeshurat e saj”.

“Ajo ishte e orientuar nga familja, adhuronte fëmijët dhe kafshët. Adhuronte përrallat dhe shpeshherë na bënte dhurata të menduara mirë, me dedikime”.

Në hetimet për vdekjen e Nicola u tha se ajo kishte nisur të tregonte probleme të shëndetit mendor që prej ndarjes së prindërve të saj kur ishte e vogël.

Motra e saj Sarah tha se Nicola la shkollën në moshën 16 vjeçare për të mësuar profesionin e parukerisë, dhe se prej moshës 19 vjeçare pati një seri marrëdheniesh të vështira.

Në gjykatë u tha se Nicola kishte një djalë, me babanë e të cilit ishte ndarë.

Nicola ishte larguar nga shtëpia e çiftit, fillimisht duke banuar vetëm me të birin, dhe më pas në një shtëpi të re kur njohu një tjetër partner.

Kur nisi punën e re Nicola u bë shoqe me një kolege, për të cilën dyshonte se ia punonte prapa krahëve me partnerin e saj, dhe më vonë pranoi se flinte me të dashurin e Nicola.

Në të njëjtën kohë ajo nisi të përjetonte “kujtime të gjalla dhe makthe” nga një përdhunim në grup që kishte pësuar.

Motra e saj Hayley Todd tha në gjykatë: “E shihja që ajo po ndryshonte, duke rënë gjithnjë e më shumë në depresion”.

“Ajo më tha se kishte kërkuar ndihmë nga disa organizata bamirësie të shëndetit mendor, por e ndjente se nuk po e ndihmonin dhe se ajo vetë po dështonte”.

Në muajt e fundit të jetës së saj Nicola nuk ndjehej mirë dhe trembej se do të çmendej, tregon Hayley.

Ajo shton se izolimi i koronavirusit pati një efekt të rëndë në shëndetin mendor të Nicola, që së bashku me vështirësitë me shoqërinë e saj, i shtuan ankthin.

Më 27 gusht  Hayley tha se Nicola dukej “shumë e lumtur” kur tre motrat komunikuan në një video-thirrje me WhatsApp.

Telefonata përfundoi rreth orës 6 pasdite, por për fat të keq mëngjesin tjetër ato u informuan për vdekjen e Nicola.

Mjekja ligjore Rosemary Baxter tha se Nicola kishte vdekur nga vetëvrasja.

Në hetime, motra e Nicola, Sarah tha: “Ne ende po përpiqemi të kuptojmë vdekjen e Nicola. Jemi me zemër të thyer, do të na marrë malli çdo ditë për të”.

FOTO GALERI
1/3
Një nënë e re e përkushtuar ka marrë jetën e saj në Britani, pasi nuk arriti të përballonte një seri ngjarjesh të rënda

Top Channel