Ndalimi i mitingjeve elektorale/ Mediu në Gjykatën Kushtetuese: Pabarazi! Pavarësisht numrit, janë të ndaluara mbledhjet partiake

02/03/2021 11:17

Ditën e sotme, në Gjykatën Kushtetuese u shqyrtua padia e bërë nga kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, mbi ndalimin e mitingjeve elektorale.

Pala kërkuese, para Gjykatës është shprehur se duke qenë në prag të zgjedhjeve parlamentare kjo situatë krijon pabarazi.

Gjykata Kushtetuese ka sjellë në vëmendje që tubimet të mund të realizohen online, por sipas palës kërkuese fjala “tubim” është takim fizik.

Pala kërkuese është shprehur se nuk janë në dijeni nëse janë marrë masa për të inkurajuar publikun për lirinë e shprehjes në zgjedhje.

Pala kërkuese: Duke qenë në prag të zgjedhjeve parlamentare, kjo situatë krijon pabarazi.

Gjykata Kushtetuese: Në dijeninë tuaj a mund të zhvillohej fushata me dhjetë persona?

Pala kërkuese: Pavarësisht numrit të personave mbledhjet partiake janë të ndaluara.

Gjykata Kushtetuese: A mendoni që tubimet mund të realizohen online?

Pala kërkuese: Fjala “tubim” është takim fizik.

Gjykata Kushtetuese: A keni marre leje para organeve kompetente? Si ka qenë praktika e punës gjatë këtyre takimeve? Më kohën që ka dalë urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë a kishte dalë data e zgjedhjeve? A keni një ide sa ka ndikuar dhe çfarë impakti ka pasur ky urdhër?

Pala kërkuese: Natyra e urdhrit është e tillë që të ndikojë kapacitetin për zhvillimin e fushatës.

Gjykata Kushtetuese: Pra, keni konstatuar një ulje të personave gjatë fushatës?

Pala kërkuese: Po, kemi kërkuar.

Gjykata Kushtetuese: Si bëhet divulgimi i fushatës në media?

Pala kërkuese: Ne po përdorim rrjetet sociale, kryesisht “Facebook”.

Gjykata Kushtetuese: A keni dijeni çfarë masash janë marrë për të inkurajuar publikun për lirinë e shprehjes së qytetarëve në zgjedhje?

Pala kërkuese: Nuk ka asnjë masë konkrete, aktualisht nuk kemi dijeni që të jenë marrë masa.

Gjykata Kushtetuese: Ju thatë që ndalohen tubimet mbi 10 persona, por ndërkohë thoni që nuk ndalohen grumbullimet e zakonshme, një interpretim se si keni dalë në këtë rezultat.

Pala kërkuese, I citon si zë më vete.

Gjykata Kushtetuese: Meqenëse ju përfaqësoni një parti opozitare, në dijeninë tuaj a ka parti të tjera opozitare që i cënon ky urdhër?

Pala kërkuese: Po ka, ka edhe eksponentë të tjerë qe kanë shprehur shqetësim ne media dhe disa drejtues te subjekteve partiake, përshembull Vangjel Dule është shprehur dhe ka mbajtur te njëjtin qëndrim.

Gjykata Kushtetuese: Përfaqësuesi i Këshillit të Ministrave a ka pyetje?

Përfaqësuesi i KM: Në cilën pikë thuhet që ndalohet grumbullimi i dhjetë personave për subjektet politike dhe a kryejnë subjektet elektorale takime poshtë dhjetë personave.

Pala kërkuese: E thotë vetë urdhri, ndalohen mbledhjet me më shumë persona dhe rregullat drejtshkrimore të gjuhës shqipe, me presje, tregojnë se kur aty urdhërohen ndalohen mbledhjet partiake apo ceremonitë përtej rrjetit familjar ndalohen.

Përfaqësuesi i Ministrisë se Shëndetësisë: A ka pyetje?

Pala kërkuese: Jo nuk ka.

Juristi që përfaqësoi Partinë Republikane ishte Dardan Mustafa. Kjo seancë u ndoq nga mediat në një platformë online për shkak të masave anti-Covid.

Partia Republikane depozitoi në 4 dhjetor 2020 një padi në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar rrëzimin dhe shfuqizimin e urdhrit të ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliut, të datës 17 nëntor 2019, që ndalon grumbullime me shumë se 10 persona, tubimet, mbledhjet partiake, ceremonitë martesore etj.

Top Channel