Kryeministri i vendit, Edi Rama, në konferencën e përjavshme për mediat “Ekonomia në Fokus” u shpreh se kjo do të jetë konferenca e fundit e këtij mandati.

Kryeministri u ndal te transformimi digjital i vendit, që sipas tij ka qenë një revolucion, pa të cilin vendi nuk do të kishte përballuar dot pandeminë dhe tërmetin.

“Mirë se keni ardhur në këtë forum të përjavshëm, i cili është edhe i fundit i këtij mandati dhe në fund për ta mbyllur këtë cikël kemi lënë një nga aspektet më të rëndësishme të transformimit të ndodhur në këto vite, që është revolucioni digjital, përmes të cilit hap pas hapi po ndodh një proces transformimi rrënjësor i marrëdhënieve të shtetit me qytetarët.

Po hidhen bazat e një sistemi të sigurtë antikorrupsion në shërbimet për qytetarët dhe po sigurohet perspektiva e afërt e kalimit të Shqipërisë në një nivel tjetër përsa i përket funksionimit të brendshëm të shtetit dhe të funksionimit të arsyes më të rëndësishme, marrëdhënies transparente, efikase, me qytetarët.

Imagjinoni që pandemia të ka kishte gjetur në një kohë kur nuk kishim shërbimet online, si do të mund të garantonim mbylljen e plotë të qytetarëve një vit më parë. Nga 14 shërbime që ishin kur e nisëm këtë revolucion, tashmë kemi më shumë se 1.2 mijë shërbime online.

U janë kursyer qytetarëve 4 milionë euro, pa llogaritur kursimet e bakshisheve dhe ryshfeteve që ky sistem i asgjëson komplet”, është shprehur Rama.

Top Channel