Britani/ Shërbente si “skllav” në fermë kanabisi, arrestohet shqiptari që ia mbathi nga spitali (Emri+Foto)

02/03/2021 12:59
Foto ilustruese

Një shqiptar, i identifikuar si Drilon Kucana u kap rreth 3 vite pasi hyri në vitin 2014 në mënyrë të paligjshme në Britaninë e Madhe.

Rreth 3 vite më parë, policia mori informatë se njerëzit po trajtoheshin si skllevër në një fabrikë kanabisi. Një prej tyre ishte edhe Kucana, i cili plagosi këmbën duke u hedhur nga dritarja në një shtëpi në rrugën ‘Newport Chepstow’ teksa po tentonte të arratisej.

Prona tre katëshe ishte shndërruar në një fermë kanabisi, tha prokurorja Claire Pickthall.

Ajo i tha Gjykatës së Cardiff Crown: “Më 7 dhjetor 2018, policia mori një telefonatë për të thënë se njerëzit po mbaheshin si “robër” në një operacion të kultivimit të kanabisit.”

Ndër të tjera shtoi se shqiptari u dërgua në spital për t’u trajtuar. Ai iu nënshtrua një operacioni dhe pas 12 ditësh ia mbathi duke i shpëtuar duarve të policisë në Londër, shkruajnë mediat e huaja. Pickthall i tha gjykatës se kishte 330 bimë në fabrikën e kanabisit të cilat do të arrinin në vlerën e 24 mijë paundëve.

Pasi u arrestua Kucana, 32 vjeç, pranoi prodhimin e drogës. Avokati i tij kërkoi që klientit të tij t’i jepej merita e plotë për pranimin e fajit. Gjykatësi Daniel Williams vendosi ta dënonte me 6 muaj burg dhe të paguante 115 paund.

Top Channel