15 të vdekur në SHBA nga përplasja ‘kokë më kokë’ mes fuoristradës dhe kamionit të rëndë (fotot)

02/03/2021 19:38

Të paktën 15 njerëz, të dyshuar punëtorë sezonalë, janë vrarë sot në një aksident në SHBA, kur një automjet fuoristradë që kishte 27 njerëz në bord, u përplas drejtpërsëdrejti me një kamion të rëndë në jug të Kalifornisë.

Tragjedia ndodhi mëngjesin e sotem kur mjeti Ford Expedition po udhëtonte në rrugën e kamionit me zhavorr, në autostradën Route 115 në Imperial, 100 km në lindje të San Diego dhe disa kilometra larg kufirit me Meksikën.

Rrjeti ABC News raportonte se 14 nga viktimat kishin vdekur në vend ndërsa i pesëmbëdhjeti gjatë rrugës për në spital. Shoferi i kamionit që goditi fuoristradën pësoi vetëm lëndime të vogla.

Një person shihej që merrte trajtim mjekësor në anë të rrugës, ndërsa edhe 12 të mbijetuarit në mjetin Ford kishin pësuar lëndime te renda.

Rrjeti Televisa Mexicali raportonte se të vrarët mund të kenë qenë punëtorë sezonalë, ndërsa identitetet e tyre ende nuk janë publikuar.

Pamjet nga vendngjarja tregonin kamionin ‘në ngulur’ në pjesën anësore të fuoristradës, në mesin e rrugës, dhe oficerët e policisë që kishin bllokuar qarkullimin për hetimet.

Kreu i zjarrfikësave ne Imperial, Sal Flores, e përshkruante aksidentin si një ‘incident me shumë humbje jete’. Ende nuk kanë dalë informacione mbi shkakun e tragjedisë apo për faktin se përse kishte kaq shumë njerëz brenda Ford-it fuoristradë.

Autoritetet shtuan se katër të mbijetuar ishin dërguar në spitalin rajonal të Palm Springs, tre prej të cilëve janë në kujdes intensiv. Të mbijetuarit e tjerë po trajtohen në spitalin El Centro Regional Medical Center, zëdhënsi i të cilit Adolphe Edward, tha: “Pacientët janë në gjendje të rëndë. Ky ishte një aksident madhor”.

Katër helikopterë mjekësore dhe pesë mjete zjarrfikëse gjendeshin në vendin e ngjarjes.

FOTO GALERI
1/5
Tragjedia ndodhi kur mjeti Ford Expedition po udhëtonte në rrugën e kamionit me zhavorr, në autostradën Route 115 në Imperial

Top Channel