Shitblerja e votës, përfaqësuesit e BE: Duhet përparim në terren/ Rama: 20 persona nga të gjitha partitë po hetohen nga Prokuroria

01/03/2021 15:37

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Joseph Borrell dhe komisioneri për Zgjerimin në BE, Oliver Varhelyi gjatë konferencës u pyetën në lidhje me blerjen e votave në vendin tonë si dhe me situatën parazgjedhore.

Lidhur me blerjen e votës në zgjedhje, ministri Borrelli tha se është inkurajuar kryeministri Rama që të zbatohen rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe të Komisionit të Venecias.

Ndërkohë që komisoneri Varhelyi theksoi rëndësinë e zbatimit në terren të atyre që janë arritur nga forcat politike në Shqipëri. Ai u shpreh se sa i takon nivelit të korrupsionit dhe agjencive përkatëse që luftojnë atë, “Shqipëria po bën përparim të qëndrueshëm”, por kërkoi më shumë rezultate në terren.

Sakaq, kryeministri Edi Rama e cilësoi si deklaratë të pabesushme, faktin që nuk është ndëshkuar asnjë person që ka blerë votat. Kreu i qeverisë deklaroi se janë 20 persona nga të gjitha partitë, të ndjekur nga prokuroria, për blerje votash.

Rama: Të dëgjoj në gjuhën time një deklaratë kaq të pabesueshme që askush nuk është hetuar asgjë nuk ka ndodhur sa u takon rasteve të dyshuara për blerje votash ndërkohë që ka 20 persona që ndiqen nga prokuroria dhe janë në proces e sipër. 20 persona të dyshuar për blerje votash nga të gjitha partitë. Ndaj është mbresëlënëse të shoh këtë aktivizëm dembel që shpreh vetveten në këtë tempull të lartë të BE, por ja që kështu është”.

Top Channel