Adoleshenti humb jetën në timon/ Djali i kreut të njësisë drejtonte pa patentë makinën e aksidentuar në Sukth

28/02/2021 19:48

Një 16 vjeçar nga Sukthi, Flavio Osmani, ndërroi jetë këtë të dielë në spitalin e Durrësit, pasi u përfshi në një aksident mbrëmjen e një ditë më parë.

Ai ishte duke udhëtuar me një automjet tip Renault, teksa u përplas me një automjet tjetër tip Benz. Por makina e tij del nga rruga dhe përplaset me këtë shtyllë.

Të plagosur mbetën edhe tre shokë të tij të cilët ishin me të në makinë. Ata u transportuan në spitalin e Durrësit, por Flavio Osmani, nuk mundi të mbijetojë dot për shkak të plagëve të marra.

Viktima është djali i kreut të njësisë administrative të Sukthit, Rrapo Osmanit. Bazuar në moshën e tij, rezulton se ka qenë duke e drejtuar makinën pa patentë. Ditën e aksidentit, Flavio ka festuar ditëlindjen e babait të tij, e më pas ka dalë me tre shokë të tjerë, por në kthim gjithçka do të ishte fatale për të.

Sipas të dhënave të Top Channel, njëri prej shokëve të viktimës, Bjordi Manuka, 16 vjeç, pasagjer në makinë, ka mbetur i plagosur rëndë dhe ndodhet në gjendje kome.

I afërmi i njërit prej të plagosurve, tregon për Top Channel, se shkak i aksidentit ka qenë infrastruktura e dobët e rrugës, por edhe shpejtësia me të cilin të rinjtë po ecnin.

Ndërkaq, banorët e zonës, ankohen për kushtet e keqe të rrugës, çka për pasojë ka prodhuar disa aksidente.

Policia, vuri në pranga, drejtuesin e automjetit tip benz, Gj. Brahja, 55 vjeç, i cili është marrë në pyetje për shkaqet e aksidentit.

Top Channel