Riatdhesimi i shqiptarëve nga Siria, Çuçi: Prej dy ditësh ndodhem në Beirut, do e finalizojmë me sukses këtë operacion

25/02/2021 20:12

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ndodhet prej dy ditësh në Beirut pasi qeveria ka nisur një tjetër përpjekje për riatdhesimin e shqiptarëve nga Siria.

Me anë të një reagimi publik, Çuçi thotë se do e finalizojnë këtë operacion të vështirë në një kohë sa më të shkurtër. Ndër të tjera, thekson se vizita e tij në Beirut është tregues domethënës i këmbënguljes së qeverisë shqiptare për riatdhesimin e shqiptarëve nga Siria.

“Në vijim të angazhimit të qeverisë shqiptare për riatdhesimin e shtetasve shqiptarë që ndodhen në kampet siriane, prej dy ditësh ndodhem në Beirut. Bashkë me Konsullin e Përgjithshëm të Shqipërisë në Liban, Marc Ghorayeb dhe Drejtorin e Drejtorisë së Antiterrorit në Policinë e Shtetit, Gledis Nano, zhvillova një takim me drejtorin e përgjithshëm të sigurisë në Liban, Gjeneral Major Abas Ibrahim.

E falenderova Gjeneralin për gjjthë kontributin e tij të çmueshëm në këtë proces dhe e garantova për vijimin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona në çështje të sigurisë dhe sidomos në finalizimin me sukses të këtij operacioni të vështirë në një kohë sa më të shkurtër. Vizita në Beirut është gjithashtu tregues domethënës i këmbënguljes së qeverisë shqiptare për riatdhesimin e shtetasve shqiptarë nga Siria. Do të punojmë me po të njëjtin përkushtim dhe vendosmëri për të finalizuar me sukses edhe këtë operacion ashtu sikundër bëmë radhën e parë”, thuhet në reagimin e Çuçit.

Top Channel raportoi ditën e sotme se qëllimi kësaj vizite lidhet me krijimin e kushteve për të marrë nga kampet Al Hol dhe Roj të të gjithë grave dhe fëmijëve shqiptarë.

Vajtja e ministrit Çuçi mësohet se është kërkuar nga kryeministri Edi Rama. I kontaktuar nga Top Channel për këtë vizitë në Liban ministri Çuçi i tha gazetarit Muhamed Veliu se:

“Për asnjë moment ne nuk do të ndalim përpjekjet tona deri në kthimin në Shqipëri të të gjithë grave dhe fëmijëve nga kampet siriane. Nuk është e lehtë por jemi besimplotë se do t’ia dalim.”

Gjeneral Abas Ibrahim, i cili ka një ndikim të jashtëzakonshëm në Lindjen e Mesme është shprehur në takimin me Ministrin Çuçi se do të bëjë çdo gjë të mundur duke përdorur influencën e tij tek kurdët dhe me çdo çmim për të riatdhesuar të gjithë gratë e fëmijët shqiptarë nga kampet e Sirisë.

Sandër Lleshaj paraardhësi Bledi Çuçi udhëtoi disa herë drejt Libanit nga ku me autoritetet vendase nisi bashkëpunimin duke mundësuar kthimin e një gruaje dhe katër fëmijëve të parë nga Siria në Tetor të vitit të shkuar.

Pas largimit nga Libani të ish ministrit Llleshaj, atje për më shumë se 5 javë qëndroi duke punuar në terren drejtori Drejtorisë së Anti Terrorit në Policinë e Shtetit Gledis Nano bashkë me kolegun e tij Indrit Doda.

Ata hynë në Siri dhe negociuan me autoritetet vendore kurde të cilët u dakordësuan të lejonin riatdhesimin e vetëm grave në nevojë për ndihmë të specializuar dhe fëmijëve jetim.

Në riatdhesimin e Floresha Rashës dhe fëmijëve të saj bashkë me Endri Dumanin, Mark Ghorayeb, konsulli i përgjithshëm i Shqipërisë në Liban pati një rol jashtëzakonisht vendimtar që ky operacion të përfundonte me sukses. Vetë kryeministri Edi Rama shkoi në Liban për të marrë Floresha Rashën me tre fëmijët e saj dhe 13-vjeçarin Endri Dumani.

Besohet në kampet e Sirisë ndodhen mbi 50 gra dhe fëmijë në pritje të kthimit në atdhe.

Mes tyre edhe Eva Dumani motra e Endri Dumanit e cila e humbi mundësinë e kthimit bashkë me të.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel