Gjermania kap elektriçistin që i dha spiunëve rusë planet e ndërtesës së Bundestag

25/02/2021 16:28

Një elektriçist gjerman i dyshuar se ka kaluar planet e ndërtesës së parlamentit gjerman Bundestag te spiunë të Rusisë, është akuzuar sot për spiunazh nga prokurorët në Berlin.

Duke ndezur tensionet më tej me Kremlin, i dyshuari i identifikuar si Jens F., akuzohet se prej tre vjetësh kalonte informacione mbi strukturën e ndërtesës së parlamentit të agjentë rusë.

Qytetari gjerman po punonte si elektriçist duke bërë kontrollet e sistemit kundër zjarrit ndaj pajisjeve elektrike në ambjentet e ndërtesës parlamentare në kryeqytet.

Prokurorët thanë se Jens F. “kishe akses në dosjet format PDF të planeve të çdo kati të ndërtesës”.

I dyshuari besohet se kishte nisur aktivitetin ilegal prej vitit 2017.

“Për këtë ai kishte përgatitur një transportues të dhënash me dosjet PDF të cilat ia dërgonte një punonjësi të ambasadës ruse në Berlin, e cila ka lidhje me shërbimin sekret të ushtrisë ruse GRU”, thanë prokurorët.

Zhvillimi vjen në kohë tensionesh mes Berlinit e Moskës, prej arrestimit të liderit opozitar Alexei Navalny.

Kancelarja gjermane Angela Merkel gjithsesi ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së dialogut me Putin, teksa Gjermania është e angazhuar në disa projekte madhore energjitike me Rusinë.

Tensionet mes dy vendeve vijnë gjithashtu pas vrasjes së rëndë të një ish-komandanti çeçen në qendër të Berlin, sipas supozimeve, me urdhër të Moskës.

Merkel tha në verë se vrasja ka thyer frymën e besimit e bashkëpunimit mes Berlinit e Moskës.

FOTO GALERI
2/3

Top Channel