Qeveria shqiptare ka nisur një përpjekje të re për riatdhesimin e grave dhe fëmijëve të mbetur në Siri.
Burime nga Ministria e Punëve të Brendshme i thanë gazetarit të Top Channel Muhamed Veliu se ministri punëve të brendshme Bledi Çuçi është duke zhvilluar një vizitë në Liban.
Qëllimi kësaj vizite lidhet me krijimin e kushteve për të marrë nga kampet Al Hol dhe Roj të të gjithë grave dhe fëmijëve shqiptarë.
Vajtja e ministrit Çuçi mësohet se është kërkuar nga kryeministri Edi Rama. I kontaktuar nga Top Channel për këtë vizitë në Liban ministri Çuçi i tha gazetarit Muhamed Veliu se:
“Për asnjë moment ne nuk do të ndalim përpjekjet tona deri në kthimin në Shqipëri të të gjithë grave dhe fëmijëve nga kampet siriane. Nuk është e lehtë por jemi besimplotë se do t’ia dalim.”
Gjeneral Abas Ibrahim, i cili ka një ndikim të jashtëzakonshëm në Lindjen e Mesme është shprehur në takimin me Ministrin Çuçi se do të bëjë çdo gjë të mundur duke përdorur influencën e tij tek kurdët dhe me çdo çmim për të riatdhesuar të gjithë gratë e fëmijët shqiptarë nga kampet e Sirisë.
Sandër Lleshaj paraardhësi Bledi Çuçi udhëtoi disa herë drejt Libanin nga ku me autoritetet vendase nisi bashkëpunimin duke mundësuar kthimin e një gruaje dhe katër fëmijëve të parë nga Siria në Tetor të vitit të shkuar.
Pas largimit nga Libani të ish ministrit Llleshaj, atje për më shumë se 5 javë qëndroi duke punuar në terren drejtori Drejtorisë së Anti Terrorit në Policinë e Shtetit Gledis Nano bashkë me kolegun e tij Indrit Doda.
Ata hynë në Siri dhe negociuan me autoritetet vendore kurde të cilët u dakordësuan të lejonin riatdhesimin e vetëm grave në nevojë për ndihmë të specializuar dhe fëmijëve jetim.
Në riatdhesimin e Floresha Rashës dhe fëmijëve të saj bashkë me Endri Dumanin, Mark Ghorayeb, konsulli i përgjithshëm i Shqipërisë në Liban pati një rol jashtëzakonisht vendimtar që ky operacion të përfundonte me sukses.
Vetë kryeministri Edi Rama shkoi në Liban për të marrë Floresha Rashën me tre fëmijët e saj dhe 13-vjeçarin Endri Dumani.
Besohet në kampet e Sirisë ndodhen mbi 50 gra dhe fëmijë në pritje të kthimit në atdhe.
Mes tyre edhe Eva Dumani motra e Endri Dumanit e cila e humbi mundësinë e kthimit bashkë me të.
Top Channel