Pas tentativës për vrasjen e Gjon Menës me eksploziv, në Kamëz, policia ka arrestuar tre persona.

Gjergj Cukali, një nga emrat më të njohur në botën e krimit, është vënë përsëri në pranga. Ai dyshohet që të jetë edhe porositësi i këtij atentati. Dy personat e tjerë të arrestuar rezultojnë të jenë vëllezër, Ermond dhe Enver Jakimi, përkatësisht 24 dhe 33 vjeç.

Sipas burimeve të Top Channel, dyshohet se Cukali i ka dhënë një pagesë paraprake prej 10 mijë eurosh, dy vëllezërve, për ekzekutimin e Menës. Të dy ata blejnë një automjet Fiat, me të cilën ndoqën shënjestrën për disa kohë.

Ermond Jakimi ishte personi që vendosi lëndën plasëse në makinë. Së bashku me vellain tjetër, Enverin, të dy kanë pritur derisa Gjon Mena iu afrua makinës, dhe e shpërthejnë lëndën plasëse, me telekomandë.

Me automjetin e blere, ata largohen me pas drejt Zallbastarit, aty ku edhe u vunë në pranga nga policia, rreth dy javë pas atentatit.

Nëse gjithçka për ta do të shkonte me sukses, vëllezërit Jakimi do të merrnin nga Cukali edhe një shumë tjetër prej 30 mijë eurosh.

Burimet shtojnë,se konflikti mes Gjon Menës dhe Gjergj Cukalit mund të ketë lindur për pazare të drogës, jashtë vendit tonë.

Gjergj Cukali, në vitin 2006, dënohet nga krimet e rënda, për rrëmbimin e Fatjon Demirlikës, në 2004.

Arrestohet përsëri në 2016, si kreu i një grupi të shpërndarjes së drogës në zonat kryesore të Tiranës, por lirohet një vit më pas.

Në 2019, bie në pranga, si personi i dyshuar për ekzekutimin e ish efektivit të policisë, Arben Bilali, për të cilin u tha se kishte prova të forta, por u lirua në shtator të të njëjtit vit.

Top Channel