Gjykatësi Ardian Dvorani ishte i ftuar ditën e sotme në “Top Talk” për të folur për vlerësimin e dhënë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me motivacionin për përkushtim kundër korrupsionit transparencës dhe llogaridhënies.
Dvorani tha se ndihet tepër i vlerësuar dhe krenar për këtë çmim ndërkombëtar dhe dëshiron ta ndajë me kolegët që në vite kanë bërë maksimumin.
Juristi Ardian Dvorani ka një histori të gjatë në sistemin e Drejtësisë në Shqipëri, por një angazhim shumë domethënës në Reformën në Drejtësi. Ai është gjetur në sulmin e Presidentit Ilir Meta, për shkak të angazhimit të tij në procesin e ndërtimit të institucioneve të reja të drejtësisë pas reformës në drejtësi. Meta bëri edhe padi ndaj Drovanit, i cili shprehet se jo vetëm Presidenti po kushdo tjetër ka të drejtën të veprojë si të dojë dhe këto sulme nuk e shqetësojnë aspak.
Në “Top Talk” u diskutua edhe rreth “betejës” mes presidentit dhe Dvoranit dhe opinionit të dhënë nga Komisioni i Venecias për sa i përket ngërçit të krijuar në ngritjen e Gjykatës Kushtetuese.
Dvorani tha për “Top Talk” se opinionin e dhënë nga Komisioni i Venecias nuk e sheh as si fitore dhe as si humbje, pasi ai opinion duhet lexuar në tërësi për të parë trajtimin e çështjeve.
“Është e rëndësishme se Komisioni i Venecias i ka dhënë një përgjigje përfundimtare se çfarë kuptohet me radhë me emërimet e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese dhe këtë njerëzit duhet të marrin mundimin ta lexojnë”, u shpreh Dvorani.
Dyrnjaja: Keni humbur betejën me Presidentin në Venecia por keni fituar vlerësimin në SHBA. Cili është më i rëndësishëm për ju?
Dvorani: Unë nuk shikoj as fitore dhe as humbje në opinion ligjor që ka dhënë Komisioni i Venecias. Ai opinion duhet lexuar në tërësi të tij, i trajton çështjet në mënyrë të gjithanshme. Ka dhënë interpretimet dhe shpjegimet dhe këndvështrimin e tyre mbi mënyrën si duhet të zbatohet Kushtetuta dhe ligji, në rastin e procedurave për zgjedhjet dhe emërimet në Gjykatën Kushtetuese. Ka trajtuar situatën e veçantë me kandidimet në vitin 2020 dhe ka thënë që përjashtimisht në këtë rast nuk ishte e paarsyeshme dhe e justifikueshme që Presidenti të bënte disa zgjedhje dhe të mbante qëndrime të caktuara. Është e rëndësishme se Komisioni i Venecias i ka dhënë një përgjigje përfundimtare se çfarë kuptohet me radhë me emërimet e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese dhe këtë njerëzit duhet të marrin mundimin ta lexojnë.
Venecia i ka dhënë shpjegimet, radhët se kush institucion ka autoritetin për të proceduar. Ata kanë dhënë një shpjegim që në situatën që ishte krijuar aplikohej për herë të parë kjo formulë kushtetuese mund të quhej e justifikuar një sjellje ndryshe nga organet e emërtesës. Ky është një diskutim shumë i detajuar dhe do të ftoja ata që janë profesionistë të fushës ta analizojnë këtë opinion. Edhe në emërimet që u bënë 3 muaj në Gjykatën Kushtetuese, të dy organet emërtesës vepruan normalisht duke respektuar kushtetutën, radha ishte e përcaktuar tashëm dhe të gjitha elementët që u kontestuan me të madhe, tashmë para tre muajsh u quajtën normalitet dhe arritje.
Dyrnjaja: Duke qenë larg konfliktit të interesit në raport me krijimin e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të lartë, si e gjykoni këtë proces që vijon?
Dvorani: Procesi i plotësimit vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe atë të lartë mori shumë kohë, më tepër sesa duhet. Nuk mund të them se ka faktorë që e kanë vonuar. Nuk më takon ta analizoj veprimtarinë e këshillave të emërimeve në Drejtësi të mëparshme, por KED i vitit 2019 ishte i detyruar të përgatiste të gjithë kuadrin normativ, kjo mori kohën e vet. Dhe më pas ishte aplikimi për herë të parë i një kuazivettingu që i bëhej kandidatëve, proces që merr kohë. Kështu edhe KED-in do të merrte kohë. Veprimtaria erdhi duke u përmirësuar. Jo rastësisht, kolegët proceduan në mënyrë më të shpejtë, përvoja tregoi se tashëm skemat u vendosën si duhet të procedojnë dhe gjërat mund të funksionojnë. Për Gjykatën e Lartë është më e komplikuar situata sepse aty ka kandidatë të cilët ende s’kanë kaluar procesin e vettingut, kështu mbahet e gjithë lista peng dhe KLGJ nuk arrin të votojë.
Top Channel