Dhuna mbi Kongresin amerikan/ Dëshmitë-protestuesit ishin të përgatitur për luftë

24/02/2021 12:17

Zyrtarë të sigurimit të Kongresit amerikan, të cilët u larguan nga detyra pas sulmit të 6 janarit, fajësuan dështimet e inteligjencës për dhunën vdekjeprurëse.

Duke dëshmuar përpara komiteteve të Senatit, ata thanë se protestuesit “kanë ardhur të përgatitur për luftë”. Ish-shefi i policisë së Kongresit, Steven Sund, tha se është përgatitur për protestë dhe jo “për një sulm të koordinuar të stilit ushtarak”.

Ai pranoi se një raport i FBI-së, që paralajmëronte për dhunë, ishte marrë nga agjencia e tij, por tha se asnjë udhëheqës, përfshirë veten e tij, nuk ka qenë i njoftuar për raportin. Mbështetësit e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, kanë sulmuar dhunshëm Kongresin më 6 janar, derisa ligjvënësit kanë qenë duke certifikuar fitoren e Joe Bidenit në zgjedhjet presidenciale.

Pesë njerëz, përfshirë një zyrtar të policisë, kanë vdekur në trazira. “Kur grupi arriti në perimetër, ai nuk veproi si grupet e protestuesve që kam parë ndonjëherë”, tha Sund, veteran i policisë.

“Një mungesë e qartë e inteligjencës së saktë dhe të plotë nëpër disa agjenci federale kontribuoi në këtë ngjarje, e jo planifikimi i dobët nga policia e Kongresit të Shteteve të Bashkuara”, shtoi ai.

Ligjvënësit në Komitetin e Sigurisë së Brendshme dhe atë të Çështjeve Qeveritare gjithashtu dëgjuan se si zyrtarët ushtarakë kanë “ngurruar” të dërgojnë trupa të Gardës Kombëtare për të mbrojtur Kongresin, edhe kur ka qenë e qartë se kushtet atje janë përkeqësuar.

Top Channel