Metali i konsumuar…/ Hetuesit, shkak për incidentin me Beoingun 777

23/02/2021 12:12

Një nga helikat e motorit të avionit që pati probleme pasi u nis në fluturim nga Denveri dhe ra në tokë, në një zonë të banuar, kishte shenja të konsumimit të metalit-thanë hetuesit.

Bordi kombëtar për sigurinë e transportit tha se helika do ti nënshtrohet edhe ekzaminimeve të tjera. Fluturimi 328 mundi të ulej në aeroportin e Denverit të shtunën, por pjesë të motorit ranë mbi shtëpitë poshtë, fatmirësisht pa lënduar askënd. Boeing ka rekomanduar uljen në tokë të të gjithë avionëve të tij 777 me të njëjtin motor. Ai tha se 128 avionë duhet të pezullohen deri sa inspektimi të përfundojë. United Airlines, Egyptair dhe operatorë në Japoni dhe Korenë e jugut, kanë thënë të gjithë se nuk do ti ngrenë në fluturim boeingët e tyre 777.

Hetuesit amerikanë thanë ndërkohë se dy pjesë të helikës të motorit Pratt &Whitney të fluturimit 328, ishin këputur. Një prej tyre tregonte shenja të konsumimit të metalit dhe hetuesit besojnë se ajo u këput duke dëmtuar edhe pjesën tjetër. Sidoqoftë ato të dërgohen në laborator për ekzaminime të mëtejshme nga inspektorët e sigurisë. Avioni i United Flight 328, mbante 231 pasagjerë dhe ishte nisur për në Honolulu kur edhe regjistroi incidentin në motorin e tij të djathtë.

Pasagjerët në bord, folën për një shpërthim të fuqishëm menjëherë pas ngritjes nga toka dhe thonë se avioni nisi të lëkundej dhunshëm e humbi edhe lartësi. Fatmirësisht avioni mundi të rikthehej përsëri në aeroport, por pjesë të motorit u gjetën të shpërndare në një zonë të banuar përreth.

Top Channel