Dyshimet se Lista Serbe e rriti iniciativën e Adriana Hoxhiqit po shihen të rrezikshme për demokracinë e vendit dhe në kundërshtim me Kushtetutën.

Njohësit e çështjeve juridike thonë se është e rrezikshme për demokracinë nëse ndodh që Lista Serbe, e dirigjuar nga Beogradi, të ketë ndikim te deputetët e pakicave jo serbe.

Kështu Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se loja e Listës Serbe me parti të caktuara cenon rendin kushtetues në Kosovë.

Sipas tij, vet fakti që përfaqësues të komunitetit boshnjak marrin mijëra vota nga serbët, është devijim i vullnetit të interesit të boshnjakëve dhe përfaqësim joadekuat i tyre.

“Një lojë politike mes Listës Serbe me parti të caktuara, qoftë boshnjake, qoftë rome e cenojnë në rend të parë rendin kushtetues të Republikës të Kosovës, i cenojnë parimet bazë me të cilat Republika e Kosovës përmes Kushtetutës iu garanton komuniteteve joshumicë në Kosovë të drejtën për t’u përfaqësuar nga përfaqësues legjitim, që pasqyrojnë interesin, vullnetin e komuniteteve joshumicë në Kosovë. Me vet faktin që përfaqësues të komunitetit boshnjak marrin mijëra vota nga serbët, kjo me të vërtetë është devijim i vullnetit të interesit të boshnjakëve, është jopërfaqësim efektiv dhe adekuat i interesave të tyre”, thotë Miftaraj.

Ai deklaron se kjo paraqet rrezik për demokracinë dhe minon parimet kushtetuese.

“Kjo përbën rrezik për demokracinë në Kosovë, kjo përbënë rrezik për të minuar parimet të cilat janë të mishëruara në Kushtetutën e Kosovës e që janë që përmes mashtrimeve, përmes deformimeve të marrëveshjeve të fshehta mes partive politike nga komunitet joshumicë në Kosovë, të devijohet vullneti dhe përfaqësimi efektiv i interesave të qytetarëve të Kosovës”, shton Miftaraj.

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu, thotë se opinioni publik por edhe Qeveria e Kosovës duhet të reagojnë në mënyrë që të pengojnë këtë lojë të rrezikshme të dirigjuar nga Beogradi përmes Listës Serbe për ndikim në Kosovë.

“Do të duhej të ngritej zëri edhe i opinionit publik, edhe i këtyre komuniteteve, sidomos i qeverisë, haptazi ata po heshtin, që të reagojnë, ato janë të papranueshme dhe t’i pengojnë përmes institucioneve dhe hallkave institucionale të ndërhyhet aty ku është bërë, sepse është e qartë se ajo ka marrë më shumë vota të komunitetit serb në Partesh e në komuna në Partesh e në komuna ku nuk ka asnjë boshnjak sesa të tjerët, që është një lojë politike e lozur dhe dirigjuar nga Beogradi. Dhe, po, mund ta rrezikojë që kur të ndodh ndonjë çështje të ngritët në Kuvend nga një qeveri, e cila e ka shumicën, kot do ta ketë sepse kur bëhet votimi i dyfishtë, votimi i shumicës 2/3, votimi i 2/3 të pakicave, në fakt Lista Serbe… po del kundër interesave të Kosovës për interesa të Beogradit dhe ajo do të mund ta pengonte çdo iniciativë”, thotë Baraliu.

Kurse,Florent Spahija nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) thotë se çështja e komuniteteve është e rregulluar me ligj.

“Konsideroj që juridikisht qeveria duhet të sigurojë votat fillimisht për me u votu në Kuvend, dhe e dyta, për secilin ligj që është i rëndësishëm duhet të ulet dhe të ketë një bashkëpunim me secilin subjekt politik në vend. Çështja e komuniteteve është e rregulluar me Kushtetutë dhe ligj dhe votat e tyre janë të nevojshme. Mendoj që nuk kemi ndonjë nguti që çështje të tilla që nevojiten 2/3 e votave të komuniteteve janë prioritet për çështjet që duhet t’i trajtojë qeveria, së paku për këto dy vjetët e para”, thotë Spahija.

KosovaPress pati raportuar një muaj më parë për tendencat e Listës Serbe për të shtrirë ndikimin e saj ndaj partive tjera joshumicë, duke deklaruar se kjo e fundit do të luftojë edhe për interesat e goranëve, boshnjakëve dhe romëve, duke siguruar 14 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Iniciativa e ish-ministres, Adriana Hoxhiq ka thyer rekord në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, duke siguruar mijëra vota në komunat ku s’ka asnjë pjesëtarë të komunitetit boshnjak, të cilin e përfaqëson ajo.

Hoxhiq ka arritur të sigurojë rreth 6mijë e 400 vota në zgjedhjet e 14 shkurtit, duke lënë jashtë Kuvendit të Kosovës, shumë parti politike që kanë përfaqësuar vazhdimisht komunitetin boshnjak në legjislativ. Kjo ka nxitur reagime të shumta edhe nga vet boshnjakët, e sidomos ish-deputetet Duda Balje dhe Emilja Rexhepi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA