Pas një udhëtimi 7 mujor, sonda Perseverance e Nasa-s zbriti në sipërfaqen e Marsit, një moment ky që i ka bërë specialistët e agjencisë amerikane të hapësirës të shpërthejnë në duartrokitje dhe lotë.

Këtu Maris, krateri Jezero. Gjithcka mirë, zbritja ishte OK”; mjaftoi ky mesazh që qendra e kontrollit në Pasadena të çlirohej nga tensioni e të nisnin brohorimat dhe përqafimet për suksesin e arritur pas muajsh të tërë ankthi e 471 milioni kilometrash të përshkuar drejt planetit të kuq.

Perseverance tashmë ka nisur drejt Tokës pamjet e para të marra prej saj, të cilat po analizohen tashmë nga ekspertët. Ish-zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence ishte i pari që e uroi NASA-n ne Twitter për këtë arritje të saj.

Kjo është vizita e tretë në planetin e kuq në pak më shumë se një javë. Dy anije kozmike nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kina u futën në orbitë rreth planetit javën e kaluar. Për udhëtimin e sondës me gjashtë rrota, më e madhja dhe më e avancuara e NASA-s, kjo e fundit i është bashkuar Agjencisë Evropiane të Hapësirës, për të sjellë shkëmbinj nga Marsi, që mund të tregojnë nëse ka ekzistuar ndonjëherë jetë në planetin Mars.

Kjo është një ditë historike për 1.000 banorët e qytetit boshnjak Jezero. Ky emër iu dha kraterit të gjerë prej 49 kilometrash, që mendohet se dikur ka qenë i përmbytur me ujë, nga Bashkimi Astronomik Ndërkombëtar. Jezero në disa gjuhë sllave do të thotë liqen.

Top Channel